Lajme
Si të dekodohet misteri i quajtur „Karton i gjelbër”
Një kompani zvicerane e sigurimeve, ka bërë përpjekje për thyerjen e akullit por ka hasur në murin e kompanive dhe politikës kosovare

Sa herë që merr udhë për në Kosovë me veturën e tij N.Sadiku, veç brengave të zakonshme në raste të tilla, duhet të bartë edhe një shqetësim shtesë: atë për pagesën që duhet ta bëjë në kufi, në të hyrë në Kosovë. Më shumë se ngarkesë për xhepin, N. e përjeton këtë detyrim si fyerje që i bëhet atij dhe mërgimtarëve tjerë. Një zhgënjim, pas gjithë asaj që mërgata ka bërë gjithë këto vite për Kosovën.
Një tagër të tillë nuk e paguajnë shtetasit e Serbisë që hyjnë e dalin në Kosovë por e paguajnë kosovarët me qëndrim në vendet e perëndimit, ashtu si dhe shtetasit tjerë të këtyre shteteve. Kjo, pavarësisht faktit se ata i kanë bërë detyrimisht pagesat për «kartonin e gjelbër» në vendet ku jetojnë. Me rastin e udhëtimit në Kosovë, autoritetet e vendit kërkojnë lidhjen e një sigurimi kufitar. E njëjta gjë vlen edhe për automjetet e regjistruara në Kosovë. Ato, me rastin e kalimit në shtetet anëtare të sistemit të Kartonit të gjelbër duhet të paguajnë një sigurim kufitar.
Përse duhet të jetë kështu, dhe sa do të zgjasë një gjendje e tillë? Përgjigjet për këto pyetje provuam të marrim në disa adresa. Shoqata zvicerane e komanive të sigurimit e Zvicrës (SVV, organizatë çati e të gjitha kompanive të kësaj fushe), përmes zëdhënëses së saj, Selma Frasa-Odok, pasi na shpjegon për pamundësinë aktuale të anëtarësimit të Kosovës në sistemin e kartonit të gjelbër, na udhëzon, që, thjeshtë, të lexojmë tekstin përkatës që gjendet në faqen e internetit të kësaj organizate. Aty, në pasusin për Kosovën mund të lexosh veç tjerash: „Kartoni i gjelbër nuk mbulon territorin e Kosovës.
Vrapim me pengesa nëpër paragrafet e burokracisë
Një kusht bazë që duhet të plotësohet në mënyrë që Kosova të ketë mbulesën e kartonit të gjelbër, është anëtarësimi i një byroje kosovare të sigurimeve (e cila së pari duhet të themelohet) në sistemin e kartonit të gjelbër. Kjo do të duhej të realizohej përmes anëtarësimit në Council of Bureaux (CoB). Ndërkaq, statuti i CoB parasheh se si anëtarë të saj mund të pranohen ekskluzivisht vetëm byrotë e shteteve anëtare të OKB-së…”. Shpjegim të ngjashëm na jep edhe kompania e madhe e sigurimeve „Generali”, përmes një përfaqësuesi të saj për medie (z. Jankovic). Ai, përmes telefonit, na „sqaron” se „Generali” i njofton klientët e vet që udhëtojnë në Kosovë me faktin se atje nuk njihet kartoni i gjelbër. I pyetur nëse kjo kompani ka pasur ndonjë kontakt nga ana e kompanive ose institucioneve kosovare lidhur me rregullimin e kësaj problematike, z. Jankovic shprehet shkurt: jo.
Këtu duket se u „përplaset” përfundimisht dera për fytyrë atyre që shpresojnë për një zgjidhje pragmatike më të përshtatshme për sigurimin e automjeteve të tyre në Kosovë.
Por, ndërkohë, bashkatdhetarë tanë pohojnë se gjendja nuk është kaq e ngurtë sa tregohet nga ana zyrtare. Përpjekje për ndryshimin e gjendjes ka pasur, madje edhe nga kompanitë zvicerane.
Mundësitë alternative pengohen nga interesat e qarqeve politike
Një bashkëbisedues yni, ekspert kosovar i sigurimeve dhe pronar i një firme sigurimesh në kantonin e Cyrihut, me kusht anonimiteti na informon për më të rejat në këtë drejtim. „Njëra nga tri kompanitë më të mëdha zvicerane të sigurimeve, ka bërë pak javë më parë disa përpjekje serioze për thyerjen e akullit”, tregon ai, duke pohuar se ka qenë edhe vetë palë në këtë iniciativë që do të anashkalonte procedurat e ngurta burokratike.
“Në një konsultim që kjo kompani ka bërë me pronarë firmash shqiptare të sigurimeve në Zvicër është ngritur çështja e pagesave të taksave për automjete në Kosovë. Ajo ka ofruar që me një shumë simbolike që do të paguhej pranë saj, të siguroheshin automjetet që do të hynin në Kosovë.
Për ndryshim nga tarifat e majme që paguhen sot (për shembull për gjashtë muaj paguhen 250 euro), me këtë rast pagesa, disa fish më e ulët, do të vlente për tërë vitin, pa marrë parasysh sa do të zgjaste qëndrimi në Kosovë dhe pavarësisht sa hyrje-dalje në Kosovë do të realizonte personi i siguruar.”
Por, siç pohon eksperti në fjalë, sharra ka hasur në gozhdë te shoqata kosovare e kompanive të sigurimeve. Ai thotë me bindje se “këtu është e implikuar edhe politika”, pa dashur të identifikojë më tutje. Megjithatë, eksperti shpreson se kjo nismë ose ndonjë tjetër e ngjashme do të realizohet, pavarësisht nga dështimi i pësuar në përpjekjen e parë.
Ai vazhdon të ngulë këmbë se arsyetimi me anëtarësinë në OKB, si kusht për hyrjen në sistemin e kartonit të gjelbër, është vetëm një pretekst mbrapa të cilit fshihen synimet për gtë shfrytëzuar edhe më tutje këtë terren ende të pa definuar mirë.
Sido që të jetë: Deri në kohën kur kompanitë simotra të të dy vendeve do të merren vesh ose kur Kosova të ketë të drejtë të pranohet në sistemin e Kartonit të gjelbër, N. Sadiku dhe pronarët tjerë të automjeteve që ia mësyjnë Kosovës, do të vazhdojnë të paguajnë haraçin e majmë sa herë të kalojnë kufirin për në vendlindjen e tyre.
Lexoni poashtu mbi këtë temë shkrimet tona:
– Taksa e automjeteve për mërgimtarët – peng i anëtarësimit të Kosovës në OKB
– “Kartonin e gjelbër e bllokojnë ata që përfitojnë nga anarkia”
E-Diaspora
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani Një 18-vjeçar vdiq të premten si pasojë e një aksidenti që ndodhi teksa ai ishte duke...
-
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
-
Mira Murati këtë vikend martohet në një ceremoni private në Toskanë
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
Jeta në Austri
-
Carinthia: Dy të vdekur në liqene gjatë fundjavës Gjatë fundjavës, dy persona u mbytën në liqene, konfirmoi për APA një zëdhënës i Drejtorisë së...
-
A mund të natyralizohen fëmijët nën 18 vjeç në Austri?
-
Ekstremi i djathtë në Austri përpiqet të shfrytëzojë tragjedinë në Graz për përçarje dhe urrejtje
-
Austri: Sa po zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
-
Policia e Vjenës do të mbyllë 2/3 e stacioneve gjatë fundjavave dhe festave