Shqipëri
Si po e pushtojnë resortet e të pasurve rivierën shqiptare
Një grup biznesmenësh pranë qeverisë, përfitues të statusit të investitorëve strategjikë, po i shndërrojnë peizazhet dikur ikonike të bregdetit të Jugut në qyteza të betonizuara vilash dhe rezidencash për më të pasurit, në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.
Në të dalë të tunelit të Llogarasë, riviera shqiptare u shpërfaqet vizitorëve me detin e kristaltë dhe kantieret e ndërtimit, që i ngjiten shpatit të gjelbëruar të malit si metastazat e një sëmundjeje malinje.
Delta e Përroit të Palasës, një monument natyror i stampuar dikur në kartolinat që niseshin nga Shqipëria, është sot i rrethuar nga të dyja anët me vinça, ekskavatorë dhe makineri të tonazhit të rëndë. Kërcitja e llamarinave dhe e gurëve që thyhen krijon një “rang-dang” monoton përgjatë gjithë rrugës.
Rreth e qark Deltës, gjashtë biznesmenë të mëdhenj po garojnë me njëri-tjetrin se kush të ndërtojë më shumë dhe më shpejt ‘qytezën’ e tij të betonit buzë Jonit, në kurriz të mjedisit dikur të virgjër të zonës.
Ky është vizioni i qeverisë shqiptare për turizmin elitar në jug të Shqipërisë – “një punë në progres” me gropa të pluhurosura dhe vila të shtrenjta luksoze të ngjeshura si kuba betoni mbi njëra-tjetrën, me plazhe ekskluzive private dhe pak me hotele me 5 yje për turistët e pasur.
Një dekadë pas miratimit të ligjit kontrovers për investimet strategjike, riviera shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht pamjen nga Palasa në Ksamil, ku qindramijëra metra katrorë sipërfaqe ndërtimore vilash apo rezidencash kanë përfunduar ose janë në proces.
Nga 48 projekte të investimeve strategjike të miratuara, 32 janë komplekse rezidenciale ose turistike në Tiranë dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë. Gati gjysma e tyre janë të përqendruara në fshatrat turistikë të Bashkisë së Himarës dhe më pak në Sarandë.
“Presioni është i madh. Ne nuk na lënë të hapim një dritare, ndërkohë që ju e shihni çfarë bëhet me ndërtimet,” thotë pronarja 35-vjeçare e një hoteli të vogël, e cila refuzon të identifikohet nga frika e ndonjë pasoje.
“Ky presion duket sikur është për të na larguar. Na bëjnë të ndjejmë se nuk na duan këtu, se duan një vend të lirë pa ne,” shton ajo.
Përfaqësuesit lokalë të opozitës ankohen se investimet strategjike në jug të vendit po favorizojnë një grup të vogël oligarkësh pranë qeverisë, në dëm të komuniteteve lokale dhe pronave të tyre, të cilat mbahen peng prej vitesh pa dokumente pronësie dhe mundësi për investim.
“Investitori strategjik ka shtetin me vete, ka të gjitha letrat, ka institucionet dhe qytetarin përballë,” tha Fredi Beleri, eurodeputeti që e humbi mandatin e kryebashkiakut të Himarës në vitin 2024 për shkak të një dënimi për korrupsion në zgjedhje.
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo i mbrojti investimet strategjike, duke i quajtur ato pjesë e pandalshme e zhvillimit të zonës. Tavo hodhi gjithashtu poshtë akuzat për tjetërsimin e pronave të banorëve.
“Zhvillimi është i pashmangshëm dhe të gjithë e kërkojnë,” tha Tavo në një intervistë me BIRN.
Të tjera nga Shqipëri
E-Diaspora
-
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit Policët urdhëruan analiza gjaku dhe urine. Patenta e tij e shoferit u konfiskua dhe u dërgua... -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa









