Kosova

Shtrenjtimi i ushqimeve, derivateve ua vështirëson jetën kosovarëve

Për çdo ditë, çmimet e derivateve dhe ushqimeve po ngriten në Kosovë. Këto çmime po ua vështirësojnë jetën qytetarëve të Kosovës. Sipas të dhënave, çmimi për një litër naftë ka shkuar deri në 1.82 euro, përcjell albinfo.ch.

Nga shoqata e naftëtarëve arsyetohen se ngritja e çmimit nuk varet nga ta, e ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, thotë se ngritja e çmimit me këtë hov, s’është korrekte nga naftëtarët.

Për çdo ditë çmimet e naftës po rriten. Një fuçi naftë sipas bursës botërore deri në orët e pasdites të së mërkurës mund të blihej me 127 dollarë. Këto efekte kanë ndikuar menjëherë në Kosovë. Çmimi i një litre naftë ka shkuar mbi 1.70 euro e në disa pika karburanti deri në 1.82 euro.

” Nëse deri para pak ditës me 10 euro keni mundur ta mbushni veturën tuaj me 8 litra naftë, sot me 10 euro mund ti merrni vetëm 6 litra, dhe krejt kjo për shkak të rritjes drastike të çmimeve të naftës.”

Nga frika për shtrenjtim më të lartë, interesimi për t’u furnizuar me naftë në pikat ku çmimi varion 1.64 euro ishte i madh. Ngritjen e çmimeve të derivateve, qytetarët ankohen se nuk do të mund ta përballojnë.

Nga ana tjetër, në mëngjesin e sot, çmimi për një liter vaj, u bë 3.50 euro në Kosovë. Ky çmim, zyrtarisht është më i larti në botë. /Albinfo.ch