Tematike

Shtohen euroskeptikët

Nga shpërthimi i krizës së euros besimi i njerëzve në BE ka rënë edhe në vende të tilla si Gjermania, tradicionalisht të njohura si proevropiane

Besimi i qytetarëve ndaj Bashkimit Evropian ka rënë ndjeshëm në mes të vitit 2009 dhe 2012. Veçanërisht të prekura, sipas një sondazhi të fundit të BE-së, janë shtetet e Evropës Jugore, të cilat po luftojnë me programet e ristrukturimit dhe një krizë masive ekonomike. Në Spanjë, vetëm një pakicë e njerëzve prej 20 për qind besojnë ende në BE, në vitin 2009 kanë qenë 56 për qind. 

Edhe italianët e kapluar nga kriza janë bërë po ashtu euroskeptikë. Besimi i tyre në BE në periudhën e njëjtë ka rënë nga 52 në 31 për qind.

Edhe në vendet relativisht me ekonomi të qëndrueshme, si Gjermania dhe Franca, Bashkimi Evropian e ka humbur prestigjin e saj. Kështu vetëm 30 për qind e gjermanëve besojnë ende në BE. Bëhet fjalë për një rënie prej 14 për qind në krahasim me vitin 2009. 

Në Francë besimi ra me 8 pikë përqindjeje, në 34 për qind. Këto shifra janë pjesë e Euro barometrit më të fundit dhe mblidhen me kërkesë të Bashkimit Evropian.

Deri më tani as në Gjermani dhe as në Spanjë nuk është i madh numri i njerëzve që mbështesin idenë për një tërheqje nga euro apo Bashkimi Evropian. 
Megjithatë, shumë prej tyre janë të pakënaqur me mënyrën sesi po luftohet kjo krizë. Kjo për faktin se në vendet e përfshira nga kriza deri tani kanë munguar rezultatet e prekshme të programeve të masave shtrënguese.

Spanja, për shembull, ndodhet ende në recesion të thellë, papunësia është tani 27 për qind, shkalla e papunësisë së të rinjve edhe më e lartë. 

Njëkohësisht, shumë gjermanë dyshojnë në kuptimin e programeve të reja të kreditit të financuara nga të hollat e taksapaguesve.

Tani në vendet si Greqia apo Italia është në rritje numri i populistëve antievropianë. Po ashtu edhe në Gjermani një parti e re ka vendosur kohët e fundit që të fokusohet kryesisht në daljen nga zona e euros.