Lajme
Shtatë alpinistë humbin jetën pas një orteku në Nepal
Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë vdekur pasi u goditën nga një ortek në një majë të Himalajeve në Nepalin verilindor, tha agjencia e ekspeditës Seven Summit Treks, përcjell albinfo.ch.
Incidenti ndodhi të hënën pranë kampit bazë të malit Yalung Ri në distriktin Dolakha.
Ekipet e shpëtimit gjetën dy trupa dhe ende po kërkojnë për pesë të tjerët, të cilët besohet se janë varrosur nga bora. Tetë të tjerë janë shpëtuar dhe ndodhen në kryeqytetin Katmandu duke marrë trajtim për lëndimet e tyre.
Të gjithë këta alpinistë ishin pjesë e një grupi që u nis më shumë se një orë para se të binte orteku, tha shefi i policisë së qarkut për BBC Nepali.
Trupat e pesë alpinistëve të tjerë të ndjerë “mund të jenë 10-15 metra nën dëborë”, tha Mingma Sherpa, kryetar i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur ata.”
Të vrarët përfshijnë dy italianë, një kanadez, një gjerman, një francez dhe dy nepalezë që shërbenin si udhërrëfyes.
Zëvendësdrejtori lokal i policisë, Gyan Kumar Mahato, i tha BBC-së të hënën se një helikopter shpëtimi kishte zbarkuar në zonën Na Gaun të Dolakha-s – pesë orë ecje nga kampi bazë i Yalung Ri.
Një nga alpinistët e plagosur i tha gazetës The Kathmandu Post se ata kishin kërkuar ndihmë vazhdimisht, por pa sukses. “Nëse ekipi i shpëtimit do të kishte mbërritur në kohë, mund të ishin shpëtuar më shumë jetë”, i tha ai gazetës nepaleze.
Mahato u tha gazetarëve se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga moti i keq dhe problemet logjistike, të cilat e bënë të vështirë fluturimin me helikopterë dhe as arritjen në vendngjarje në këmbë.
Gazeta Kathmandu Post raportoi se grupi po përgatitej të ngjitej në majën e afërt Dolma Khang, e cila ka një lartësi prej 6,332 m. Ata kishin planifikuar të ngjiteshin në majën Yalung Ri, e cila është 5,630 m, si pjesë e programit të tyre të aklimatizimit.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit "Gjatë një kontrolli të plotë të individëve të pranishëm, zyrtarët e policisë kantonale gjetën një shkop... -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












