Lajme
Shqiptarët, qytetarë të BE-së, kundërshtojnë statusin e kandidatit për Serbinë
Shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së kanë ndërmarrë një iniciativë për t`iu drejtuar institucioneve të vendeve në fjalë me një letër
Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar dhënien Serbisë të statusit të kandidatit për BE, shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së kanë ndërmarrë një iniciativë për t`iu drejtuar institucioneve të vendeve në fjalë me një letër.
Kështu, siç shkruan Lëvizja “Vetëvendosje” në një komunikatë të saj, “qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë marrë iniciativë që si banorë dhe taksapagues të këtyre vendeve të kërkojnë nga Ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve që të mos përkrahet dhënia e statusit të vendit kandidat për Serbinë në mbledhjen e Këshillit Evropian në mars të këtij viti”.
Në vazhdim bëhet e ditur se Qendrat e Lëvizjes së “Vetëvendosjes” në mërgatë do të organizojnë të gjithë anëtarët dhe përkrahësit e tyre që t’i drejtohen me një letër Ministrave të Punëve të Jashtme në vendet ku ata jetojnë. Përmes kësaj letre ata do të japin argumente e shembuj se si Serbia nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe si e tillë nuk është e aftë që të përafrohet me vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian. Dërgimi i kësaj letre, sipas vetëvendosjes, do të fillojë nesër.
Në këtë letër, nga ministrat e jashtëm kërkohet që qeveria përkatëse “të refuzojë kërkesën e Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE derisa ajo t’i plotësojë kushtet për pranim në BE dhe derisa të demonstrojë përkushtimin e saj për parimet themeluese të Bashkimit Evropian”. Pastaj, theksohet në letër, ” Serbia është duke i shkelur këto kushte dhe parime nëpërmjet politikës armiqësore që po ndjek në Kosovë. Refuzimi i kërkesës së Serbisë është i nevojshëm për t’i inkurajuar reformat e vërteta brenda Serbisë. Duke vepruar në këtë mënyrë Qeveria juaj do të mbronte interesat e popullit të Kosovës dhe të popullit të Serbisë, dhe do të bënte të mundur një paqe afatgjatë dhe përparim të qëndrueshëm në rajonin tonë.
Që nga viti 1999 udhëheqësit e Serbisë i kanë drejtuar dhe i kanë financuar strukturat ilegale shtetërore brenda Kosovës, të cilat e kanë penguar integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës. Strukturat ilegale të sigurimit serb kanë kryer krime kundër qytetarëve të Kosovës pa u ndëshkuar asnjëherë për to dhe janë integruar tashmë në rrjetet e krimit të organizuar në veri të vendit tonë. Këto struktura e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, si dhe funksionalitetin tonë institucionale, ndërsa kryetari i Serbisë, Boris Tadiç, kohët e fundit ka deklaruar se ai kurrë nuk do t’i shuajë ato. Në fakt, Serbia duket e vendosur për t’i forcuar strukturat e veta politike ilegale duke kërcënuar se do t’i mbajë zgjedhjet e saj të ardhshme të përgjithshme dhe lokale brenda territorit të Kosovës, për herë të dytë pasi Kosova ka shpallur pavarësinë”, thuhet në vazhdim në këtë letër.
Shqiptarët, qytetarë të BE-së përmes kësaj letre, sipas Vetëvendosjes do t`ua bëjnë me dije ministrave të vendeve të tyre edhe faktet mbi diskriminimin që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Qeveria e Serbisë vazhdon t’i mohojë të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e shkelur përditë detyrën e saj për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave. Shqiptarët mbeten të diskriminuar në arsim dhe në institucionet publike, të nënpërfaqësuar në institucionet e drejtësisë, dhe i nënshtrohen vazhdimisht dhunës arbitrare të policisë. Lugina e Preshevës mbetet një nga zonat ekonomike më të pazhvilluara dhe më të militarizuara në Serbi”.
Më tutje në letër vihet theksi në trajtimin e privilegjuar që BE po i bën Serbisë karshi Kosovës, duke mos i bërë Serbisë asnjë presion ndërkohë që nga Kosova kërkohen lëshime të tjera të dhumbshme.
“BE-ja e ka theksuar pjesëmarrjen e Serbisë në dialog si kusht të domosdoshëm për anëtarësim. Megjithatë, në këtë dialog nga Kosova po kërkohet të bëjë lëshime në sovranitetin e saj të shpallur. Ndërsa Serbisë nuk po i bëhet asnjë trysni për ta detyruar që të ndërmarrë hapa drejt njohjes së Kosovës. Si rezultat do të kemi një zgjidhje me paqartësi të përhershme që do të jetë në favor të Serbisë, por kjo padrejtësi do t’i kushtojë Kosovës. Kjo, gjithashtu, nuk do ta lërë Serbinë që të pendohet për të kaluarën e saj të hidhur dhe për të bërë reforma të vërteta. Edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës udhëheqësit e Serbisë nuk kanë kërkuar asnjëherë falje publike për krimet e tmerrshme të kryera në Kosovë, e as nuk kanë paguar për dëmet e shkaktuara nga lufta, thuhet më tutje në letër.
Duke e përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, pa u siguruar së pari që ajo ka kryer reforma të vërteta, do të kemi vetëm importim të problemeve të rajonit tonë në Bashkimin Evropian, e jo zgjidhje të tyre. Prandaj unë me respekt ju sugjeroj që Qeveria juaj të votojë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë”, përfundon letra që shqiptarët, qytetarë të vendeve të BE-së i drejtojnë ministrave të jashtëm të vendeve të tyre.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










