Integrimi
Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër
Në mesin e shumë bashkatdhetarëve që shënuan arritje në fushëveprimin e tyre, redaksia jonë ka dalluar shtatë individë duke i “kurorëzuar” si Personalitete të Vitit
Në përfundim të çdo viti është një traditë e bukur që të bëhen rekapitullime, bilance për të përmbledhur arritjet e shënuara gjatë atij viti. Ndërsa arritjet të shumtën lidhen me individë të suksesshëm, që kanë bërë dallimin në vitin përkatës, të shumtën janë ata, pra personat konkretë që zgjidhen Personalitete të Vitit. Këtë traditë po e kultivon tashmë prej disa vitesh edhe platforma mediale, Albinfo.ch.
Dhe, duke qenë platforma më e madhe dhe e besueshme e mërgatës shqiptare (jo vetëm) të Zvicrës, Albinfo.ch ka një “kompetencë” të caktuar që ta bëjë këtë përzgjedhje. Për këtë flet fundja fakti se pothuajse të gjithë personalitetet kanë kaluar nëpër Albinfo.ch ose janë afirmuar edhe me ndihmën e saj.
Për vitin 2025, në mesin e shumë bashkatdhetarëve tanë që shënuan arritje në profesionin ose në fushëveprimin e tyre, redaksia jonë ka dalluar këta individë duke i “kurorëzuar” si Personalitete të Vitit.
Elina Duni, artistja që ndërthur xhazin me muzikën tradicionale të vendit të saj
Janë të rralla ato figura që arrijnë të harmonizojnë mjeshtërisht traditën, modernitetin dhe identitetin kulturor ashtu sikurse Elina Duni. Fitimi i çmimit Swiss Jazz Award 2025 e kurorëzon një rrugëtim të jashtëzakonshëm artistik, duke e vendosur atë në qendër të skenës zvicerane dhe evropiane të xhazit.
E lindur në Tiranë në vitin 1981, pas rënies së regjimit komunist, ajo, në moshën 10 vjeçare u zhvendos me nënën e saj në Gjenevë, ku pasi studioi pianon klasike, u orientua drejt xhazit, gjuhës muzikore që do të bëhej boshti i identitetit të saj profesional.
Juria e Swiss Jazz Award e përshkroi Elina Dunin si një artiste “me talent të jashtëzakonshëm dhe me aftësinë për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, që ndërthur me delikatesë xhazin me muzikën tradicionale të vendlindjes së saj”. Më tej, juria theksonte se ajo “ka ditur të rinovojë gjuhën e xhazit dhe të frymëzojë një brez të tërë muzikantësh të rinj” – një vlerësim që i shtohet çmimit të saj të mëparshëm Swiss Music Prize 2017 dhe shumë vlerësimeve evropiane.
Në këtë kthesë të rëndësishme të karrierës, Elina Duni mbetet një artiste që e përdor muzikën si urë mes gjuhëve, historive, emocioneve dhe kulturave. Ajo vetë e përkufizon këtë mision artistik me thellësi.
Lorik Cana, imazhi që bashkon të gjithë shqiptarët
Lorik Cana njihet më së miri si një ikonë që e ktheu futbollin në një ngjarje familjare, sportisti që mbushte stadiumet përtej kapaciteteve, ai që e çoi Shqipërinë drejt UEFA Euro 2016 dhe lojtari që krijoi një ndjenjë të rrallë bashkimi kombëtar, ku të gjitha trojet shqiptare përfaqësoheshin në një skuadër, nën të njëjtën fanellë
Ai lindi në Prishtinë por karriera e tij nisi pikërisht këtu në Zvicër, në Lozanë, në klubin “Dardania” të udhëhequr nga i ati. Cana u rrit mes fanellave, fushës dhe disiplinës. Kulmi i rrugëtimit ishte padyshim pozita e kapitenit të Kombëtares. Përveç golave dhe depërtimit në skenën botërore, ai na dhuroi një krenari pothuajse mitike.
Sot, Lorik Cana përfaqëson një imazh me të cilin shqiptarët identifikohen anembanë botës.
Para se ta përfundonte karrierën aktive ai kishte vendosur të jepte një kontribut për shoqërinë dhe vendin. Dhe kështu filloi puna e fondacionit “Lorik Cana 5”, një fondacion që gërsheton botën e sportit me atë të kulturës.
Përmes aktiviteteve të fondacionit, Loriku mbetet po aq i pranishëm në media sa dikur, por sot vëmendja e tij ka marrë një drejtim tjetër. Ndër projektet e fundit të fondacionit “Lorik Cana 5” është edhe një dokumentar i realizuar në bashkëpunim me regjisorin italian Alessandro Ferrantelli, me titull “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”. Ky dokumentar është shfaqur tashmë në New York, Firence dhe Cyrih, duke i dhënë kështu Lorikut jo vetëm një lidhje më të thellë me atdheun dhe shqiptarët e tij.
Fehmi Mahalla, trajner i kampionëve
Fehmi Mahalla është pjesë e historisë së karatesë zvicerane, me rezultate që pak sportistë në Evropë mund t’i arrijnë: Kampion i Evropës për seniorë, kategorisë së rëndë – Tenerife, 2005; Kampion i Lojërave Frankofone (2005–2007); Fitues 3 herë i turneut më prestigjioz botëror, Open d’Paris, në kategorinë e rëndë dhe absolute; 14 herë Kampion Shtetëror i Zvicrës; Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës për afro 20 vite
Ai luftoi për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet në arenën ndërkombëtare. Në këtë cilësi, Mahalla jo vetëm shënoi rezultate të jashtëzakonshme, por mbeti edhe shembull i dinjitetit dhe profesionalizmit në diasporë.
Pas karrierës si sportist elitar, Mahalla u bë trajner i kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri, duke u kthyer në arkitekt të sukseseve ndërkombëtare të dhjetëra sportistëve.
Ndërsa në rolin e trajnerit të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka kontribuar në ngritjen e këtyre dy ekipeve në nivele historike. Me Shqipërinë ka arritur dy medalje të argjendta evropiane, ndërsa me Kosovën rezultatin e jashtëzakonshëm të vendit të tretë në Evropë dhe Botë.
Merita Pinta, një grua e fortë në krye të 100 bashkëpunëtorëve
Merita Pinta është tashmë një emër i përveçëm në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe jo vetëm kaq. Ajo, duke themeluar dhe drejtuar një kompani (Prima Pflege) me dy shtëpi për të moshuar, ku punëson rreth 100 persona, është një punëdhënëse e respektuar në rrethin ku jeton, e më gjerë.
Për këto dhe merita të tjera, platforma mediale e ka zgjedhur atë Personalitet të Vitit 2025 për fushën e shëndetësisë.
Krahas drejtimit të dy shtëpive për të moshuar që e bën prej afër 10 vitesh, ajo ka marrë së fundi edhe një vendim të rëndësishëm: Të hapë një repart të veçantë përkujdesjeje për të moshuarit shqiptarë.
“Vendimi për të hapur këtë repart erdhi si pasojë e një realiteti që e kam përjetuar nga afër gjatë viteve të punës sime. Shumë të moshuar nga komuniteti ynë në Zvicër, edhe pse marrin kujdesin e duhur profesional, shpesh përballen me një izolim emocional për shkak të barrierave gjuhësore, ndryshimeve kulturore dhe traditave të tyre. Ata kanë nevojë për një komunikim të ngrohtë, për njerëz që i kuptojnë dhe një mjedis ku gjuha, ushqimi, muzika, besimet dhe zakonet janë pjesë natyrale e jetës së përditshme”, thotë ajo, veç tjerash.
Dr. Përparim Limani, në krye të Klinikës së Kirurgjisë në Kantonsspital Aarau
Vargut të profesionistëve mjekësorë që po arrijnë majat e mjekësisë në Zvicër i është shtuar edhe Dr. Përparim Limani.
Nga 1 dhjetori 2025, PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani merr drejtimin e Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau, një prej qendrave më të rëndësishme kirurgjikale në Zvicër. Emërimi i tij përveç që paraqet një hap profesional, është edhe një moment që shënon edhe një standard të ri të pranisë shqiptare në mjekësinë zvicerane.
Me dy doktorata një në mjekësi dhe një në shkencat natyrore, me një karrierë të formuar në Spitalin Universitar të Cyrihut, në laboratorin HPB nën drejtimin e Prof. Pierre-Alain Clavien dhe me një fellowship në MD Anderson Cancer Center në Houston, Dr. Limani vjen në këtë rol me një bagazh të jashtëzakonshëm kërkimi dhe eksperience klinike. Ai ka publikuar studime në Nature Communications, Annals of Surgery, Clinical Cancer Research, dhe ka trajtuar pacientë në programet më të avancuara onkologjike dhe robotike të Zvicrës.
Musa Kamenica, një ish refugjat, kryeparlamentar i Lozanës
Musa Kamenica është prej kohësh një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Lozanës, Vaudit dhe gjithë Zvicrës. Prej disa muajsh ai është zgjedhur në potin e kryetarit të Parlamentit të qytetit të Lozanës, njërit ndër 4 qytetet më të mëdha të Zvicrës, duke shënuar një arritje të madhe në politikën e vendit ku jeton.
Në vitin 1995, si 18 vjeçar së bashku me familjen ka migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Ka magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës.
Në vitin 2016 është zgjedhur për herë të parë asamblist në asamblenë (parlamentin) e qytetit të Lozanës. Këtë vit ai ka arritur të zgjidhet kryetar i kësaj asambleje ose Këshilli Bashkiak, që është posti më i lartë në pushtetin legjislativ të qytetit.
Më është dashur shumë punë, përkushtim dhe sakrificë për të arritur nivelin e bashkëpunëtorëve të mi, si në parti ashtu edhe në asamble. Nuk është e njëjtë të mbërrish në Zvicër në moshën 18-vjeçare, pa një rrjet të gjerë shoqëror, pa e njohur mjaftueshëm kontekstin lokal politik e shoqëror, ndërkohë që kolegët e mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, duke pasur familje të integruara prej kohësh në sistemin institucional dhe politik të qytetit. Për këtë arsye, rruga për të arritur në pozitën që mbaj sot ka kërkuar dyfish më shumë përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet.
Adrian Bajrami, kthehet nga Benfika në Luzern dhe luan për Nati-n
Historia e Adrian Bajramit është rrëfimi i një brezi të ri futbollistësh që rriten mes dy kulturave dhe dinë ta ndërtojnë identitetin e tyre pa mohuar asgjë por duke zgjedhur vetë se ku duan të shkëlqejnë.
Ai e thekson shpesh: “Jam lindur dhe rritur në Zvicër, por jam dhe do të jem gjithmonë krenar që jam shqiptar”.
Në familjen Bajrami me prejardhje nga Struga e Maqedonisë, shqipja nuk është detyrim, por dashuri. Ky mjedis e formoi Adrianin si njeri, duke i dhënë një bosht të fortë vlerash: respekt për punën, sakrificën dhe mirënjohjen për familjen.
Karriera e tij nisi në Langenthal, më pas te Young Boys, ku kaloi vetëm një vit. Pikërisht aty u hap rruga drejt njërës prej akademive më të famshme në botë: SL Benfica, në Lisbonë të Portugalisë.
Në verën e vitit 2024, Bajrami vendosi të kthehej në Zvicër. Ai e përshkruan këtë hap si kthim në shtëpi, jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe ai emocional: “Ndihem shumë mirë të jem prapë pranë familjes që më ka munguar shumë kohë”. Adriani kishte luajtur për Zvicrën U18, më pas vendosi të përfaqësonte Shqipërinë në grupmosha dhe zhvilloi tri miqësore me Kombëtaren A.
Në vitin 2025, ai mori një vendim të vështirë: të rikthehej te Zvicra. Pas shpalljes së listës për eliminatoret e Botërorit, trajneri Murat Yakin e ftoi për herë të parë në Kombëtaren zvicerane.
FOTO: Genti Mersinaj
Lexoni po ashtu:
Magazina albinfo.ch sjell personalitetet shqiptare të Zvicrës për vitin 2025
Lexoni po ashtu:
AlbGala 2025: Mbrëmja ku u afirmua ekselenca shqiptare në Zvicër
E-Diaspora
-
Vonesë në votimin me postë për diasporën Qytetarë nga diaspora që janë regjistruar për votim me postë nuk i kanë pranuar fletëvotimet brenda... -
Shqiptarët mbizotërojnë në punët fizike në Gjermani -
Kush e solli lahutën para OKB-së në Gjenevë -
Paralajmërim për partitë nga Ambasada Gjermane: Respektoni ligjin në diasporë -
Projektet ekskluzive Marigona Sun dhe Marigona Hill prezantohen në Zürich
Jeta në Austri
-
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja Strategjia e zbuluar e SHBA-së nën drejtimin e Trumpit e liston Austrinë midis vendeve që Uashingtoni... -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë


















