Shqipëria

Shqipëria thellon kryesimin si “kampione” e Europës në ndërtim

Sektori i ndërtimit kontribuoi me 14.4% në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, me rritje 0.6 pikë përqindje, në raport me nivelin prej 13.8% që zinte ky sektor një vit më parë, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të kontributit të ndërtimit në Europë, teksa në Bashkimin Europian, mesatarja që zë ky sektor në vlerën e shtuar bruto[1] ishte 5.6%, ose gati tre herë më e ulët se në Shqipëri.

Shteti i dytë me kontributin më të lartë të ndërtimit në Ekonomi është Kosova, me 9.8% në 2024-n, nga 10.7% një vit më parë. Në vend të tretë është Sllovakia, me 8.7%, e ndjekur nga Islanda, me 8.4%.

Në rajon, përveç Shqipërisë e Kosovës, më shumë ndërtohet në Maqedoninë e Veriut (6.6% e vlerës së shtuar bruto), e ndjekur nga Serbia (5.9%), Bosnjë Hercegovina (5.5%) dhe i fundit është Mali i Zi me 3.9%. Në Europë, shteti që ndërton më pak është Greqia, ku ndërtimi kontribuoi në 2.2% në krijimin e vlerës ekonomike të vendit.

Varësia e Shqipërisë ndaj ndërtimit ka ardhur sërish në rritje vitet e fundit. Në 2019-n, viti më i hershëm që raporton të dhënat Eurostat, ndërtimi kontribuonte në 13% të ekonomisë.

Pesha e lartë që zë ndërtimi në Shqipëri reflekton një një varësi të tepruar të ekonomisë nga ky sektor dhe investimet në pasuri të paluajtshme. Kur sektori përbën gati 15% të vlerës së shtuar bruto, çdo lëvizje e tregut të pronës apo ngadalësim i ndërtimit mund të godasë në mënyrë disproporcionale punësimin, të ardhurat fiskale dhe rritjen e përgjithshme ekonomike.

Së dyti, përqendrimi në sektorin e ndërtimit tregon për mungesë diversifikimi të ekonomisë, sidomos në drejtim të shërbimeve inovative. Kjo e bën ekonominë më të ndjeshme ndaj cikleve koniunkturale dhe rreziqeve gjeopolitike.

Ndërtimi ka qenë gjithnjë bashkëshoqërues i ekonomisë, me dy cikle. I pari ishte pas vitit 1999, arriti maturimin në 2011-n dhe filloi më pas rënien deri në vitin 2015. Nga viti 2017 nisi cikli i ri, i nxitur fillimisht nga ndërtimet në kryeqytet, e më pas në bregdet. Cikli i dytë nuk ka arritur ende maturimin dhe nuk dihet se kur do të ndodhë teksa lejet e ndërtimit, sidomos në kryeqytet, çdo vit po arrijnë një rekord, ku çdo ditë prezantohen projekte të reja të ndërtesave shumëkatëshe.

Të dhënat e kryqëzuara mes rritjes së të ardhurave (pagave), aktivitetit real të ekonomisë, kredisë në banka, strukturës së bizneseve e kërkesës reale sugjerojnë se një pjesë e këtij sektori financohet nga burime informale. P.sh., që nga viti 2014, çmimet e apartamenteve janë rritur 10 herë më shumë se paga mesatare, duke e bërë pothuajse të pamundur për shtresën e mesme blerjen e një apartamenti, që sot kushton minimalisht 1500-2000 euro/m², teksa paga mesatare mujore është rreth 770 euro/muaj.

Forcimi i ndjeshëm i Lekut është një tjetër faktor që tregon praninë e lartë të parave informale. Nga fundi i 2016-s, kur filloi vala e dytë e ndërtimeve, Euro është zhvlerësuar me rreth 27% (monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë në vitin 2024, nga 137.4 lekë në 2016). Për të njëjtën periudhë, deficiti i llogarisë korente (që mat hyrje-daljet e valutës nga vendi) nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm, si rrjedhojë e nivelit të lartë të importeve në një vend që pothuajse nuk prodhon më asgjë.