Lajme

Shqipëria përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami ka pritur në një takim Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çekun. Të dy homologët kanë diskutuar për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe kanë shkëmbyer mendime në lidhje me ecurinë e vazhdueshme dhe kontributin që Shqipëria po i jep Kosovës si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami siguroi homologun e tij se Shqipëria do të jetë nje partner konstruktiv i Kosovës në rrugën drejt modernizimit të forcave të armatosura. “Republika e Shqipërisë, sikurse e dini gjatë vitit të kaluar ka dhënë një shumë të konsiderueshme për trasplantin për FSK-në, njëkohësisht mjaft ushtarakë kanë kryer kurse, trajnime dhe shkollime pranë institucioneve tona arsimore, po kështu ka pasur shkëmbime të tjera të vazhdueshme. Së bashku me Ministrin Çeku arritëm në konkluzionin se këto përpjekje do të jenë përpjekje akoma më profesionale, dhe për këtë menduam që të ngremë një grup pune së bashku për të dedifikuar qoftë nevojat, qoftë edhe kapacitetet që ne ofrojmë”, u shpreh Arben Imami.

Ministri i Forcave të Armatosura, pasi falenderoi Shqipërinë për mbështetjen, i kërkoj Ministrit Arben Imami që të lobojë për inkuadrimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. “Tema e bisedimeve ishte që tani Shqipëria të ndihmojë, të asistojë Kosovën  që në procese integruese, qoftë në NATO, qoftë në iniciativat dhe projektet rajonale të mbrojtjes dhe të sigurisë. Shqipëria tani është anëtare e plotfuqishme e NATO-s, është anëtare e të gjitha iniciativave rajonale të mbrojtjes së sigurisë dhe ne fillimisht duhet të përfitojmë nga përvoja e tyre në këto procese, në këto integrime”, nënvizoi Agim Çeku.

Ministri Imami shprehu mbështetjen për afrimin e Kosovës në organizmat rajonale të sigurisë, fillimisht me statusin e vëzhguesit dhe më pas me të drejta të plota në këto organizma. Gjithashtu, ai i ofroi mundësinë e përfshirjes së personelit të FSK-së në stërvitjet e ndryshme që zhvillojnë strukturat e Forcave të Armatosura. “Duhet që të bëjmë të gjitha përpjekjet tona ne si Republika e Shqipërisë, si një vend anëtar i NATO-s që Kosova mos të mbetet jashtë integrimeve Euro-Atlantike. Sigurisht që gjithë mbështetja jonë në këtë drejtim do të jetë e plotë, shpresojmë që në një kohë të arsyeshme këto përpjekje të japin rezultatet e duhura dhe të pritura”, pohoi Imami.

Nga ana tjeter, Agim Çeku deklaroi se Kosova do të kontribuojë në ndërtimin e paqes dhe te sigurisë në rajon dhe u zotua se në një të ardhme të afërt dy forcat tona do të marrin pjesë në operacione të përbashkëta paqeruajtëse kudo në botë.