Shqipëria në kërkim të talentëve të futbollit në Zvicër

Delegacioni i Federatës Shqiptare, më 13 dhe 14 janar do të jetë në Zvicër për të zhvilluar një grumbullim me talentët kryesorë shqiptarë

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, do ta nisë vitin 2011 duke ndjekur disa nga talentet kryesorë shqiptarë në Zvicër.

Tekniku kroat do të jetë në krye të një delegacioni prej shtatë pjesëtarësh të Federatës Shqiptare të Futbollit që më 13 dhe 14 janar do të jenë në këtë vend për të zhvilluar një grumbullim me talentet kryesorë shqiptarë.

Zëdhënësi Lirim Zalla, konfirmoi këtë aktivitet të Federatës Shqiptare në Zvicër, për mediat e Kosovës.

“Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, do të jetë në krye të një grupi pune që do të ndjekë në një tubim dyditor disa nga talentet shqiptarë në Europë. Tubimi do të zhvillohet në Zvicër, por do të ketë lojtarë shqiptarë që do të luajnë jo vetëm në këtë vend, por edhe në shtete fqinje si në Gjermani apo Itali. Lojtarët janë të moshave të ndryshme, nga 15 vjeç deri futbollistë të ekipeve të para”.

    

Zalla nuk konfirmoi listën e lojtarëve, por pohoi se do të jetë një numër i madh. Shefi i sektorit më të ri në FSHF, atij që do të mbulojë gjetjen e talenteve të shpërndarë në Europë, Redi Jupi dhe menaxheri i Kombëtares, Denis Bastari, së bashku me trajnerët e ekipeve të moshave, do të jenë shoqëruesit e Kuzhes në këtë turne zviceran.

Në Zvicër jeton një komunitet i madh shqiptar, kryesisht nga Kosova. Ky komunitet ka nxjerrë lojtarë të një niveli shumë të lartë si Valon Behrami i West Hamit apo i riu Xherdan Shaqiri i Baselit, të cilin e kërkojnë klubet më të mëdha europiane.

Ideja e shefit të zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, është që talentët e mëdhenj nga të gjitha trojet shqiptare, të jenë nën vëzhgimin e FSHF-së. “Ekipet kombëtare të moshave të Zvicrës e kanë praktikë që të aktivizojë të gjithë talentët me kombësi të huaj që kanë talent dhe luajnë në vendin e tyre.

Për futbollistët kosovarë, kjo do të thotë që nuk kanë më asnjë mundësi që të aktivizohen me Shqipërinë, pasi rregullorja e FIFA-s e thotë qartë që mund të ndërrosh përfaqësuesen, vetëm në rastin kur, në momentin që ke luajtur me një kombëtare, duhet të kesh pasur pasaportën e vendit të ri.

Për këtë arsye, ne duam që të rinjtë t’i zbulojmë vetë, në mënyrë që më vonë, nëse do të jenë në lartësinë e duhur do të luajnë me përfaqësuesen shqiptare”, ka shpjeguar idenë e tij, Redi Jupi.