Shqipëria

Shqipëria këtë vit me ‘çmime të kripura’

Hoteleve u rriten kostot me 30% nga energjia, ushqimet, pagat, nafta

Ende pa nisur mirë sezoni veror, në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë faturat “tradicionale” të çmimeve në restorante e hotele, kryesisht në zonën e Jugut, shoqëruar me pakënaqësi. Argumenti i përvitshëm për atë që ndodh në vend është ai i vendosjes së çmimit nga kërkesë-oferta.

Për aq kohë sa ka njerëz të gatshëm të paguajnë në nivele të tilla çmimesh, do të ketë edhe ofertë. Këto përgjithësisht janë raste të hasura tek-tuk, me çmime me nivele ekstreme, në raport me mesataren e përgjithshme.
Opsionet më të lira nuk mungojnë gjithashtu.

Por viti 2022 parashikohet të jetë “më i kripur” në çmime, për të gjithë ata që do të duan të pushojnë gjatë verës, pasi rritja e çmimeve ka ardhur në disa segmente njëkohësisht, duke e bërë thuajse të pamundur amortizimin e plotë të tyre, pa dhënë efekt te kostoja finale, përcjell Albinfo.ch. Strukturat akomoduese ishin të parat që dhanë alarmin se kostot e tyre të operimit janë rritur, për shkak të disa zhvillimeve në tregun e brendshëm, por edhe atë të jashtëm, me efekt zinxhir. Së pari, ishte lëvizja e qeverisë për të nxjerrë në tregun e parregulluar 7500 biznese të lidhur në tension 20,10,6 kv ku bëjnë pjesë edhe struktura akomoduese të vendosura në të gjithë vendin.

Këto biznese, që deri dje e blinin energjinë me 11-12 lekë/kwh tashmë po detyrohen ta blejnë me 18.8 lekë kwh, nëse janë në tension 20 kv dhe 19.7 lekë, nëse janë në tension 10,6 kv.

“Energjia është ajo që na ka prekur më rëndë, pasi është dyfishuar. Po paguajmë një kilovat me 18.8 lekë. Duhet të kuptojmë që kostoja e energjisë zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet tona si struktura akomoduese.
Nuk jemi gjatë gjithë netëve në rezervim të plotë, por pajisjet janë në punë dhe kjo na shkakton humbje të madha. Sa u takon ushqimeve, vë re se janë rritur, por nuk na ndikon në mënyrë të konsiderueshme. Nëse bëjmë raportin e rritjes së çmimeve në disa elemente, energjia mban peshën më të madhe.
Këtë vit kemi shitur me çmim më të shtrenjtë se vjet, sepse janë rritur kostot. Për njerëzit, kjo është e qartë, pasi e prekin dhe vetë në përditshmëri”, thonë operatorët turistik për “Monitor”.

Përveç energjisë, strukturat akomoduese raportojnë për rritje të çmimeve të ushqimeve, diçka e dukshme në treg, por një pjesë e mirë thonë se pesha e kësaj rritje në koston totale mbetet e vogël dhe mund të amortizohet. Rritje ka shënuar edhe çmimi i naftës, nga e cila as këto struktura nuk shpëtojnë dot për nevojat e tyre.

Vështirësia për të gjetur staf shërbimi detyroi më herët strukturat akomoduese, baret dhe restorantet për rritje të pagave. Disa prej tyre pohojnë se kanë marrë punonjës të huaj, ndërkohë që për të parandaluar largimin e stafit ekzistues, janë detyruar të rrisin pagat deri në 30%.

Rritja e menjëhershme e çmimeve në disa segmente ka bërë që të paktën për hotelet që kanë shitur paketa me garanci, në rastin më të mirë të mos ketë fitim. Në rastin më të keq mund të jenë edhe me humbje.