Lajme

Shqipëria ia jep lamtumirën e fundit Sokol Olldashit

Qeveria e Shqipërisë e shpalli të enjten ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident komunikacion

Qindra qytetarë nga Tirana dhe nga viset tjera të Shqipëria morën pjesë të enjten në ceremoninë e varrimit të deputetit dhe ish-ministrit Sokol Olldashi, i cili dje humbi jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni. Vdekja e Oldashit, e mbuloi në zi gjithë Shqipërinë, në të cilën flamujt janë ulur në gjysmështizë.

Kuvendi i Shqipërisë, sipas medieve shqiptare, u mbulua me një vello të zezë. Nën tingujt e muzikës funebre dhe me lule të bardha në duar, të afërm, miq, qytetarë e kolegë, që hera-herës nuk arrinin ti mbanin lotët, i dhanë lamtumirën e fundit deputetit, Sokol Olldashi.

Në Kuvend ishin edhe familjarët dhe dy djemtë e deputetit të ndjerë, të cilët u përpoqën të tregoheshin të fortë, në vendin ku babai i tyre ka mbrojtur me vendosmëri kauza të rëndësishme, ka patur debate të forta e replika, duke u bërë një zë i fortë i Partisë Demokratike, raporton BW.

Homazhet zgjatën deri në orën 14:00, dhe më pas trupi i pajetë i deputetit u përcoll mes dhimbjes së madhe, për në banesën e fundit.

Qeveria e Shqipërisë e shpalli të enjten ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit. Sipas vendimit të qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar ulet në gjysmë shtizë, ndërsa shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku pas përcjelljes për në banesën e fundit të ish-deputetit Sokol Olldashi ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet për familjen e të ndjerit.

“Familjes do t’i mungojë përjetë njeriu i dashur, studiove televizive debatuesi i foltores së parlamentit, oratori karizmatik. Partisë Demokratike do t’i mungojë lideri frymëzues. Lamtumirë miku ynë! Shpirti yt u prehtë në paqe!”, – shkruan deputetja Tabaku.

Kryeministri Edi Rama nënshkroi në librin e kujtimeve për njeriun që e kishte sfiduar në zgjedhjet lokale për të parin e Tiranës në vitin 2007.

 “E vlerësoi maksimalisht figurën e deputetit Sokol Olldashi që u nda jeta tragjikisht dje nga një aksident automobilistik”, thotë Rama . Me një postim në rrjetin social “Facebook”, Rama e përkufizoi Olldashin si një politikan shpuzë që la një boshllëk në skenën politike.

“U prehtë në paqe s’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë e çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë”, shkruan Rama.

Kryeministri shqiptarë thotë se ndër të paktat debate televizive që ka ndjekur, kanë qenë ato të Olldashit.

Fjalimin lamtumirës e ka mbajtur kolegu dhe bashkëpunëtori i PD-së, Astrit Patozi.

“Të dashur familjarë dhe miq të Sokol Olldashit. Çfarë do që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet”, tha ai.

Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë, tha Patozi.

“Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë”, tha ai.

Ndërsa fjalën e fundit të kësaj ceremonie mortore pranë ambienteve të Kuvendit e mbajti kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Sokoli ashtu siç e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një sokol i paepur i shumë betejave, por mbi të gjitha i betejave njerëzore, për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe. Sokoli shkëlqeu si gazetar dhe opozitar i paepur. Na jepte kurajë kur ishim pakicë. Ishte bashkënismëtar i lëvizjes së dhjetorit. Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd që i bëri sistemi komunist”, tha Bashaj.

Pasi la shënimin dhe mbaroi homazhet, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi ndjeu dhimbje për njeriun që e kishte pasur bashkëpunëtor të ngushtë, e të cilit i kishte besuar tri herë ministritë.

“Njëri nga politikanët më të talentuar, njëri nga zërat më të fuqishëm, qeveritarët më eficentë. Është shënuar në memorien e kohës me vepra të pavdekshme. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve dhe dua të them se Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, trashëgiminë e tij me gjithçka që ai bëri për PD-në, për vendin, për kombin e tij”, tha ai.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka humbur jetën mbrëmë në një aksident të ndodhur në aksin Tiranë-Elbasan, pasi automjeti me të cilin udhëtonte ka rënë në greminë. Reshjet e shumta të shiut dyshohen të kenë sjellë devijimin nga rruga të automjetit.