Shqipëria

Shqipëria hap katër kapituj të rinj në negociatat me BE-në

Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar ritmin e hapjes së kapitujve si “rekord absolut”, raportojnë mediat në Tiranë.

Me këto, numri i kapitujve të hapur arrin në 28 brenda 11 muajve, ndërsa kapitujt e rinj lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme – fusha që përfshijnë transportin, energjinë, rrjetet transevropiane dhe mjedisin. Shqipëria duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE.