Lajme

Shqipëria forcon kufijtë, frikë nga terrorizimi

Pikëtish për çështjen e sigurisë së përgjithshme, sot në Tiranë ka qëndruar Donald Tusk, president i Këshillit Evropian. Shqipëria u tha se nuk është në panik nga terrorizimi   

Sulmi terrorist në Paris që la të vdekur rreth 130 qytetarë dhe mesazhet kërcënuese që erdhën në drejtim të ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri ka alarmuare dhe autoritet në Tiranë, që të forcojnë sigurinë nëpër kufij. Për këtë çështje, presidenti i Shtetit, Bujar Nishani ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Gjatë kësaj mbledhjeje mësohet se është diskutuar për informacionet që janë aktualisht në lidhje me sulme të mundshme nga grupe terroriste, apo edhe nga ISIS. Në këtë mbledhje janë raportuar edhe masat që janë marrë deri më tani dhe informacionet e fundit që ka Shërbimit Informativ Shtetëror në lidhje me gjithçka pritet që të ndodh në Shqipëri.

“Shqipëria është plotësisht e angazhuar për kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të fluksit të korridorit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonalë për këtë qëllim. Nuk ka vend për panik dhe se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur dhe janë plotësisht operacionale mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme”, ka thënë Nishani, citon Shekulli.

Ndërsa pikëtish për çështjen e sigurisë së përgjithshme, sot në Tiranë ka qëndruar Donald Tusk, president i Këshillit Evropian. Ai është takuar me kryeministrin  Edi Rama, ndërsa në fokus ka qenë: rreziku i terrorizmit, kriza e refugjatëve dhe ajo e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Në masakrat e Parisit më 13 nëntor, terrorizmi islamik e uli shënjestrën nga lartësia e monumenteve dhe simboleve të qytetërimit modern demokratik, tek lartësia e njerëzve të zakonshëm në hapësirën e jetës së tyre të përditshme. Tanimë, askush, askund matanë perçeve dhe rrobave të zeza të shkretëtirës shpirtërore që solli erën e gjakut në rrugët e Parisit, nuk është i sigurt”, ka thënë Rama.

Ajo që ndodhi në Francë dhe që vazhdon të ndodhë përditë në formën e kërcënimeve apo të marrjes së masave mbrojtëse kundër terrorizmit, sipas tij, duhet që në radhë të parë të mos lejojmë të na prekë njeriun brenda nesh.

“Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera. Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë, pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën të cilës i përkasim, nuk mund të jetë jashtë rrezikut. Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët“, tha ai.

Ndërsa presidenti Tusk, tha se sot, Tirana, Parisi apo Brukseli, ndjejnë të njëjtën shpresë dhe të njëjtën frikë. Por ai theksoi se shpresa është shumë herë më e fortë sesa frika. “Besoj fort se terroristët nuk do të na frikësojnë. Liria dhe solidariteti janë shumë herë më të forta sesa vullneti dhe frika. Askush nuk është vetëm sot. Është detyrë e jona politike të jemi bashkërisht përballë kësaj sfide, që është edhe më e madhja e kohërave tona”, deklaroi ai.

Pavarësisht se Shqipëria, tha kryeministri Rama, nuk është e prekur nga kriza e refugjatëve, “jemi të gatshëm t’i bashkohemi Evropës në zbutjen e saj”, transmeton Albinfo.Ch.

“Shqipëria nuk është prekur nga kriza e refugjatëve, nuk është pjesë e korridorit ku kalon fluksi i refugjatëve. Por, siç e kemi thënë qysh në krye të herës, me dimrin dhe njëkohësisht edhe më ndërveprimin shpeshherë të munguar mes vendeve, Shqipëria mund të preket. Megjithatë, preket apo nuk preket, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe është i qartë. Ne nuk jemi evropianë vetëm për ditë të mira. Ne jemi evropianë edhe në ditë të këqija”, tha Rama.