Shqipëria

Shqipëria e para në Evropë në vitin 2024 për normat më të larta të migracionit neto negativ

Emigrimi neto jo vetëm që nuk po përmirësohet, por fenomeni është bërë kronik dhe po thellohet në mënyrë të qëndrueshme

Shqipëria kryesoi Evropën në vitin 2024 për normat më të larta të migracionit neto negativ (kthimet minus ikjet) me -12.1 banorë të larguar nga vendi për 1000 banorë, nga -11.7 që ishte ky tregues në vitin 2022.

Emigrimi neto jo vetëm që nuk po përmirësohet, por fenomeni është bërë kronik dhe po thellohet në mënyrë të qëndrueshme.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se për çdo 1000 banorë, vitin e kaluar mbi 12 janë larguar nga vendi, një normë shumë herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës Lindore, ku në shumicën prej tyre në 2024 kthimet në shtëpi janë më të larta se ikjet, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian ka rënie të emigracionit pas vitit të jashtëzakonshëm 2022, kur lufta në Ukrainë dhe lirimi i kufizimeve pandemike sollën flukse të larta lëvizjeje, por në Shqipëri tendenca është krejt e kundërt. Emigrimi nuk po ndalet dhe duket se nuk ka asnjë ngadalësim real.

Rezultatet tregojnë se në shumicën e vendeve të Ballkanit kthimet janë më të larta se ikjet në 2024. Në Bosnjë emigracioni neto ishte 0.1 për qind më 2024, nga një trend negativ në vitet e shkuara. Bilanci i migracionit neto u kthye pozitiv edhe në Maqedoninë e Veriut, +0.3 më 2024, nga negativ që ishte në vitet e shkuara. Gjithashtu në Serbi ka tendenca pozitive, pasi ikjet me kthimet u barazuan më 2024, nga një bilanc negativ që ishte më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me 0.8 vjet brenda një viti, duke arritur në 44.3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arriti në rreth -29 mijë persona. Në dy vite, 2023 dhe 2024, emigrimi neto shënoi -72,597 persona.

Nga viti 2015 deri më 2020, emigracioni neto ishte rreth -16 mijë persona në vit, 80 për qind e tyre të rinj, ndërsa nga 2020 deri më 2025 ky tregues është mesatarisht -34,5 mijë në vit. Emigracioni i të rinjve është rritur më shumë se dyfishi pas pandemisë.

Anketat e Monitor kanë treguar se njerëzit nuk po largohen vetëm nga varfëria, por edhe nga mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen. Ata gjithashtu vlerësojnë si të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

Më shumë se 66 për qind e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, 568 persona nga 857 gjithsej, dhanë si arsye për emigrimin “mungesën e perspektivës për të ardhmen”.

Gjithashtu, më shumë se gjysma e tyre e shohin si arsyen e dytë kryesore për largimin nga vendi “standardet më të larta të jetesës”. Në vend të tretë renditet “mungesa e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm”, në vend të katërt “mungesa e sigurisë dhe stabilitetit politik”, ndërsa 46 për qind e të anketuarve kishin si një arsye “arsim më të mirë për fëmijët”.

Ndryshe nga vendet që kanë krijuar politika për të tërhequr ose rikthyer diasporën, Shqipëria nuk ka asnjë politikë efektive për të ruajtur apo kthyer qytetarët e saj. Për më tepër, shpesh emigrimi është parë si “zgjidhje” e heshtur për të ulur presionin ekonomik dhe social brenda vendit.

Kjo humbje e vazhdueshme njerëzore po sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sociale dhe demografike. Tregu i punës po ngushtohet, popullsia po plaket dhe zonat rurale po boshatisen. Shërbimet publike, nga arsimi te shëndetësia, po e ndiejnë mungesën e specialistëve, ndërsa investimet po zhvendosen drejt vendeve me më shumë stabilitet demografik.

Nëse në disa vende të rajonit kjo prirje po zbutet falë politikave të rikthimit ose integrimit në tregje më të mëdha, në Shqipëri mungesa e një strategjie të qartë për të ndaluar ose kthyer valët e emigrimit vetëm sa po e përkeqëson situatën.