Shqipëria

Shqipëria e Maqedonia bashkëpunojnë në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe

Në kuadër të kalendarit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, zhvilloi një vizitë dyditore në Shkup.

Ndërmjet takimeve me personalitete shtetërore, si me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, Drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skënder Asanin, më 22 shkurt 2022 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi dhe Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Ylber Sela, raporton atsh, transmeton Albinfo.ch.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi synohet bashkërendimi i veprimeve për organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe të takimeve të ndryshme shkencore, shkëmbimit të ideve, të informacionit dhe të përvojave që lidhen me fushat e interesit të përbashkët të sferës së historisë dhe të gjuhës shqipe.