Policia e Shtetit në Shqipëri po vazhdon planin e posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, duke synuar sigurinë, rendin dhe lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar gjithsej 1230 komplete me çadra dhe shezlonë, nga Durrësi deri në Sarandë, ndërsa 27 persona janë proceduar penalisht për zënien e paligjshme të plazheve publike.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, janë liruar 9 hapësira publike, 8 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, të cilat shfrytëzoheshin ilegalisht për parkim me pagesë. Për këto raste janë proceduar 14 shtetas.
Në operacionet për garantimin e sigurisë në plazhe janë evidentuar 16 raste shkeljeje të perimetrit të sigurisë, duke bllokuar 16 mjete lundruese dhe ndëshkuar drejtuesit me gjobë prej 100.000 lekësh secili.
Policia ka vijuar edhe kontrollet për ndotjen akustike në zonat turistike, duke proceduar 15 persona për tejkalim të kufijve të lejuar të zhurmës, si dhe ka bllokuar 72 automjete dhe motomjete që gjeneronin zhurmë.
Në qendrat urbane janë larguar me karrotrec 98 automjete dhe 34 motomjete të parkuara në trotuare apo vija të bardha, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Po ashtu, janë evidentuar 11 raste ndotjeje të mjedisit tokësor dhe ujor, ku janë arrestuar 2 persona dhe janë proceduar 9 të tjerë në qytete si Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër.
Policia e Shtetit apelon që pronarët dhe administratorët e lokaleve të mos zënë hapësira publike dhe të respektojnë kufijtë e zhurmës, ndërsa drejtuesit e automjeteve të mos parkojnë mbi trotuare apo vija të bardha, përndryshe mjetet do të bllokohen dhe dërgohen në pikat përkatëse të bllokimit.