Lajme

Shqetësuese: për 8 muaj, 71 të vdekur në komunikacion

Nga viti 2002, kanë ndodhur gjithsej 225571 aksidente të trafikut rrugor, ndërsa 2118 qytetarë të Kosovës e kanë humbur jetën

Vdekjet në komunikacion janë bërë përditshmëri nëpër rrugët e Kosovës. Vetëm brenda 15 vjetëve të shkuara, më shumë se 2000 kosovarë e kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur invalidë, prej tyre dhe invalidë të përhershëm. Këto vdekja në trafik konsiderohen shqetësuese për institucionet vendore.

Ndërsa bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, që nga viti 2002, në aksidente të trafikut rrugor, kanë humbur jetën 2118 persona, ndërsa kanë ndodhur 225571 aksidente. Ndërsa vetëm nga janari deri në fund të muajit gusht të këtij viti, janë shënuar 71 vdekje në komunikacion.

Në periudhën janar-gusht të vitit 2016, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë ndodhur gjithsej 12776 aksidente në trafikun rrugor, me fatalitet kanë qenë 65 aksidente, raporton Zëri.

Kurse, nga 1 shtatori deri më 22 shtator kanë humbur jetën 7 persona.

Ndërkaq, gjatë vitit 2015 kanë ndodhur gjithsej 17722 aksidente në trafikun rrugor. Prej tyre me fatalitet kanë qenë 117 aksidente, ndërsa kanë humbur jetën 129 persona.

Në periudhën janar-gusht 2016, Policia e Kosovës konfirmon se janë shqiptuar gjithsej 226855 tiketa. Kurse, gjatë viteve të mëparshme duke përfshirë edhe periudhën kohore janar-gusht 2016 janë shqiptuar 2944092 tiketa. Shumica prej tyre janë për tejkalim të shpejtësisë.