Kosova

Shkrimtari shqiptar nga Austria përuron në Kosovë romanin “Shpirti i plagosur”

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u mbajt promovimi i romanit të tretë të shkrimtarit Ramiz Selimi, “Shpirti i plagosur”

Ky roman është një trilog që vazhdon udhëtimin e nisur me romanin „Rrënjët e Kujtesës“ për të vazhduar pastaj me romanin: „Dëshirë e djegur“

Safet Gërxhaliu, që ishte edhe panelist i ngjarjes, foli për biografinë e autorit, duke e vendosur në kontekst jetën brenda dhe veprimtarinë e tij në mërgim, transmeton albinfo.ch.

Ai nënvizoi se përvoja personale e Ramiz Selimit dhe përpjekjet e tij për të ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare janë elemente thelbësore që japin ngjyra dhe thellësi rrëfimit të Dardanit në roman.

“Sikur të ishim në nivelin e duhur, me këto romane duhej të merrej kinematografia, sepse skenarin e kanë të gatshëm. Ramiz Selimi ka ditur të sjellë në letër jo vetëm një histori, por edhe emocionin e përjetuar nga një brez i tërë shqiptarësh”, tha Gërxhaliu.

Për romanin folën recensentët Salih Bashota, gazetari, publicisti dhe shkrimtari, Prend Buzhala, si dhe shkrimtari dhe Vilson Culaj, të cilët ishin panelistët e ngjarjes dhe recensentë të librit.

Bashota theksoi: “Ky roman nuk është vetëm rrëfim personal, por edhe një reflektim mbi gjendjen e atëhershme në shoqërisë shqiptare dhe sfidat e saj historike. Romani “Shpirt i plagosur” e fut lexuesin menjëherë në një situatë dramatike, shpirtërore dhe psikologjike të thellë, ku protagonistët, Dardani dhe nëna e tij, Rina, janë të preokupuar me përballimin e pasojave të një viti të tmerrshëm. Ai tha se romani lexohet me një frymë.

Ndërsa Prend Buzhala shtoi: “Shpirti i plagosur na ofron një udhëtim emocional, ku dhimbja dhe shpresa ndërthuren në mënyrë të jashtëzakonshme. Rrëfimi është një përzierje e realizmit të hidhur dhe elementëve epikë, ku ngjarjet dhe veprimet zhvillohen në një kontekst të gjerë historik dhe politik. Edhe pse ngjarjet janë të shtrira dhe të lidhura me realitetin e dhunshëm dhe të pasigurt, elementi epik bëhet i dukshëm përmes qëllimeve të mëdha, ideve të larta dhe sakrificës që kërkohet për t’i arritur ato.

Vilson Culaj e përfundoi analizën duke thënë: “ Dikur Rolan Rolan thoshte :,,Romani është një ankth i përjetshëm deri në vdekje nëse nuk e ke përfunduar‘’.

Lidhur me këtë kontest që në fillim mund të themi se emri dhe përkushtimi i Ramiz Selimit në këtë zeje letrare është i madh dhe me sfida, por edhe i suksesshëm. Emri i tij në letërsinë shqiptare po zë vend krejt natyrshëm, triumfalisht dhe pa imponime e ekspozime patetike. Përmasa e rrëfimit në këtë roman ka tri dimensione personale, familjare dhe nacionale. Ky roman është çlirimi nga vuajtja e individit i cili është peng i robërisë nacionale, varfërisë, dhe mungesës së prestigjit në rrethin se ku jeton.

Një dimension të veçantë i promovimit ishte leximi i fragmenteve nga romani nga gazetarja nga Shqipëria, Mimoza Abrazhda, e cila i dha zë dhe emocione rrëfimit të autorit, duke e bërë përvojën letrare edhe më të prekshme për audiencën.

Ngjarja u pasurua me pikat muzikore të këngëtarit me zë të mrekullueshëm Shaban Krasniqi, i shoqëruar nga pianoja e Nashid Drejtës, duke krijuar momente të ndjeshme që lidhnin fjalën e shkruar me emocionin e tingullit.

Në fund, fjala iu dha autorit Ramiz Selimi, i cili falënderoi panelistët dhe të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë veprës së tij. Ramiz Selimi theksoi se rrëfimi i Dardanit nuk ka marrë fund, Shpirti i plagosur ishte vetëm një stacion i rëndësishëm, por jo i fundit, sepse historia e Dardanit do të vazhdojë edhe më tej në romanin e ardhshëm, që tashmë është në përgatitje dhe mban titullin “Hijet e Shpresës”.

Ai tha: „Romani „Hijet e shpresës“ tani më është redaktuar dhe gjendet në përpunim, sipas redaktores, libri i radhës do të jetë kryevepra e romaneve të mia.”

Libri pritet të dalë në dritë në fillim të vitit të ardhshëm. Vlen të theksohet se një grup i dashamirëve të librit nga Vushtrria në krye me Selim Izmakun e zbukuruan ngjarjen, prezent ishin edhe shkrimtarë të njohur si Xhemë Karadaku, Sherife Thaqi, Syhejl Havolli, Bekim Kelmendi, Shaqir Foniqi, Izet Avdyli, ish Ministri Ibrahim Makolli, nga Gjermania, Imer Llladrovci, pastaj gazetari Idriz Zeqiraj, dhe shumë tjerë.

Promovimi u përmbyll me një koktej rasti, të përgatitur nga familja e autorit, duke lënë të pranishmit një kujtim të veçantë të kësaj ngjarjeje letrare dhe artistike.