Lajme

Shijet e Kosovës nën dritën e Muajit të Frankofonisë në Stokholm

Ambasada e Kosovës prezanton flijën dhe ëmbëlsirat tradicionale, ndërsa aktivitetet kulturore vazhdojnë me shfaqjen e filmit “Bukuria e Gomaricës”.

Në Stokholm u hap programi i aktiviteteve për Muajin e Frankofonisë, ku Ambasadorja e Kosovës, Shkendije Geci-Sherifi, ishte e pranishme në ceremoninë inaugurale. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijonin një pjesë të kuzhinës tradicionale kosovare, transmeton albinfo.ch.

Një vëmendje të veçantë të pranishmëve tërhoqi flija, një nga specialitetet më autentike të Kosovës, përgatitur sipas traditës dhe me shumë përkushtim. Shija dhe mënyra unike e përgatitjes së saj u vlerësuan nga të gjithë pjesëmarrësit. Përveç flijës, u ofruan edhe ëmbëlsira tradicionale, të cilat u pritën me entuziazëm nga publiku.

Në vazhdën e aktiviteteve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe Institutin Francez në Suedi, do të organizojë shfaqjen e filmit “Bukuria e Gomaricës”, regjisuar nga kosovaro-zvicerania Dea Gjinovci.

Data: 31 mars 2026

Ora: 18:00

Vendi: Zita Folkets Bio, Birger Jarlsgatan 37, Stockholm

Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të shijojnë kulturën dhe traditat e Kosovës në këtë event unik frankofon, shkruan ambasada./Albinfo.ch