Kosova

SHBA trajnon oficerë të FSK-së për artileri, njëri nga ta shpërblehet me çmim

Nëntogerët  e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shpëtim Hasani, Labinot Osaj dhe Arian Karaxha, kanë përfunduar me sukses Kursin Bazik të udhëheqjes për Artileri Fushore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo forcë njofton se trajnimi kishte për qëllim përgatitjen e ushtarakëve për udhëheqës të Togut të Artilerisë, Oficer të Mbështetjes me Zjarr si dhe si Oficer të Drejtimit të Zjarrit.

“Si udhëheqës të Togut të Artilerisë pjesëmarrësit marrin njohuri praktike për pajisjen Howitzer amerikan M 777 (155 mm), M 109 (155 mm), dhe M 119 (105 mm). Në modulin e Mbështetjes me Zjarr, përgatiten ushtarakët për specifikat e Howitzereve, planifikim dhe thirrje të mbështetjes me zjarr, vëzhgimin e zjarrit si dhe llojet e mbështetjes që ofron artileria fushore si dhe në fushën e Qendrës së Drejtimit të Zjarrit trajnohen për kalkulimin dhe faktorë të ndryshëm që ndikojnë në një qitje sa më precize”, bën të ditur FSK-ja.

Për shkak të sukseseve të treguara në trajnim Nëntoger Arian Karaxha arriti të marrë çmimin “Distinguished International Honor Graduate”.