Lajme

SHBA mbështet shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës

Kjo u rikonfirmua nga Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në veri.

Ai ka thënë se çështja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është çështje e përfunduar.

Reeker, pas takimit që ka pasur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe pjesën më të madhe të kabinetit qeveritar, ka thënë që është shumë e nevojshme që të shtrihet rendi dhe ligji në veri dhe ka inkurajuar fillimin e dialogut në shtator.

I pyetur për mundësinë e një statusi special për veriun e vendit, Reeker ka theksuar se zgjidhja e çështjes së veriut duhet të bëhet sipas planit të presidentit Ahtisari, përderisa ka bërë të qartë se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës është shumë i qartë.

Ajo që është më e rëndësishme, sipas tij, është rikthimi tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën drejtimin e Bashkimit Evropian.

Reeker, ka theksuar se për këtë dialog ka parë përkushtimin e plotë të kryeministrit Hashim Thaçi dhe kabinetit të tij qeveritar.