Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dyfishojnë tarifat për importet e çelikut dhe aluminit të huaj në 50%, duke vijuar politikën e tyre proteksioniste edhe përballë kritikave nga aleatët dhe partnerët kryesorë tregtarë. Ky hap, i autorizuar nga presidenti Donald Trump përmes një urdhri ekzekutiv, synon të mbrojë dhe ringjallë industrinë amerikane të këtyre sektorëve, e cila po përballet me konkurrencën e çmimit të ulët nga vendet e tjera, përfshirë Kinën, shkruan The Guardian, transmeton albinfo.ch.
Përjashtim nga tarifat më të larta për momentin ka vetëm Mbretëria e Bashkuar, e cila ka arritur një marrëveshje paraprake tregtare me SHBA-në. Tarifat për importet nga Britania do të mbeten në 25% deri më 9 korrik.
Një e katërta e çelikut të përdorur në SHBA është e importuar, ndërsa Kanadaja dhe Meksika, dy nga partnerët më të afërt tregtarë të SHBA-së, pritet të preken më rëndë nga rritja e këtyre tarifave. Zyrtarët kanadezë kanë njoftuar se janë duke negociuar intensivisht për heqjen e tarifave, ndërsa ministri i ekonomisë i Meksikës i ka cilësuar ato të padrejta dhe të paqëndrueshme, duke kërkuar përjashtim.
Pak ditë pas njoftimit për blerjen e kompanisë amerikane US Steel nga Nippon Steel e Japonisë, Trump theksoi se “industritë tona të çelikut dhe aluminit po ringjallen si kurrë më parë”, duke e cilësuar rritjen e tarifave si një “lajm të madh për punëtorët amerikanë”, transmeton albinfo.ch.
Nga ana e tyre, zyrtarë të Bashkimit Evropian shpresojnë të fitojnë një përjashtim nga këto tarifa të reja në takimin e planifikuar mes përfaqësuesit të tregtisë së SHBA-së dhe komisionerit të BE-së në Paris. Ndërsa tarifa prej 50% pritet të jetë e padurueshme për eksportuesit evropianë, BE-ja deri tani nuk ka njoftuar hakmarrje të menjëhershme, duke vlerësuar delikatesën e bisedimeve tregtare.
Problematika e çelikut kinez me çmim të ulët mbetet një nga arsyet kryesore për krizën në industrinë evropiane të çelikut, ku prodhuesit si ThyssenKrupp në Gjermani kanë pësuar humbje të mëdha dhe shkurtime vendesh pune, transmeton albinfo.ch.