E-Diaspora

Shaqiri: Koha ime tek do të vijë

"FC Bayerni është një skuadër e klasit botëror dhe te ne ka lojtarë shumë të mirë, që mbeten të shikojnë ndeshet nga bankinat"

Ka kohë që nuk keni lexuar gjë për Shaqirin? Epo me arsye: ai ka qenë deri para dy ditësh në pushimet e merituara. Ndërsa dje, e diele, ylli i futbollit ka qenë mysafir në fundjavën finale të Coca-Cola Junior League në Schwamendingen të Cyrihut. Krahas kënaqësisë që u ka dhënë fëmijëve dhe të rinjve, duke u fotografuar me ta dhe duke u dhënë autografe, ylli i madh i Bajernit të Munihut u është përgjigjur pyetjeve të lexuesve të faqes së facebook-ut të blick.

Atij i janë drejtuar petje nga më të ndryshmet. “A jeni takuar me Pep Guardolën”, ka qenë njëra ndër pyetjet, të cilës Xherdani i është përgjigjur me “ende jo. Të mërkurën do ta kemi stërvitjen e parë me të”. Ndërsa i pyetur nëse do të parapëlqente të ndërronte FC Baysenin në rast se nuk e siguron aty vendin në ekipin e parë, ai thotë se ndjehet mirë në FC Bayern.

“Unë kam luajtur mjaft gjatë këtij sezoni të parë. Kam qenë në mesin e 14 lojtarëve të rregullt. Natyrisht, futbollisti dëshiron të luajë gjithmonë dhe unë përpiqem për këtë. Koha ime tek do të vijë. Ne jemi një skuadër e klasit botëror dhe te ne ka lojtarë shumë të mirë, që mbeten të shikojnë ndeshet nga bankinat”.

Natyrisht, nuk ka munguar edhe pyetja standarde për yjet: “a keni të dashur?”. Shaqiri ka thënë se ende është beqar dhe se është mjaft mirë kështu si është “por kurrë nuk dihet se çfarë sjellë e ardhmja”.