Lajme

Serbia nuk heq dorë nga Kosova: nuk e ndryshon kushtetutën

Ky qëndrim i politikës serbe, sipas analistëve, tregon se raportet ndërmjet dy vendeve vështirë se do të relaksohen edhe një periudhë kohore

Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë teknike të Serbisë, Marko Gjuriq, në mënyrë kategorike ka hedhur poshtë mundësinë që Serbia ta heq Kosovën nga kushtetuta e saj. Ky qëndrim i politikës serbe, sipas analistëve, tregon se raportet ndërmjet dy vendeve vështirë se do të relaksohen edhe një periudhë kohore.

“Komenti im për këtë është që Prishtina do të duhej që në Kushtetutën e krahinës (siç e quan ai Kosovën) sa më parë ta fus Serbinë, sepse kjo është mënyra e vetme që të prezantohet në bashkësinë ndërkombëtare. Siç e dimë, ajo nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara e as ndonjë trupi ndërkombëtar, përveç atyre në të cilat mbase janë ‘trafikuar’ dhe në të cilët janë anëtare territore të caktuara, që nuk janë të njohura si shtete sovrane”, tha Gjuriq.

“Mendoj se bëhet fjalë për një shkëndijë të politikës joserioze dhe për diçka që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve”, ka deklaruar ai, citon REL.

Në anën tjetër ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se “Serbia do të kërkohet që të heqë dorë nga Kosova në Kushtetutën e saj”.

“Një çështje e rëndësishme është që duhet të ketë edhe marrëveshje e cila do të jetë ligjërisht e obligueshme në fazat vijuese dhe ne si për fillim kemi kërkuar që tash është koha Serbia ta nxjerr nga Kushtetuta e saj, pra nga preambula Kosovën. Sepse nuk mund të ndodh fqinjësia e mirë më një kushtetutë kontraverse të Serbisë”, ka thënë ministrja Tahiri.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, ka thënë se pengesa kryesore për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel është mos ndryshimi i pjesëve të legjislacionit të Serbisë, të cilat ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjeve.

Siç thotë ai, Serbia nuk e ka eliminuar nga legjislacioni i saj sistemin administrativ në Kosovë, ndonëse për zbatimin e marrëveshjeve duhet ta ndryshojë ligjin e organizimit territorial, që edhe nëse nuk e njeh Kosovën, së paku ta njoh legjislacionin në kuadër të territorit të Kosovës.

Rruga më e shpejtë, sipas tij, do të ishte heqja e Kosovës nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë.

“Por, duket se Serbia e ka gjetur mënyrën se si t’i devijojë kësaj. Në këtë kuptim, në një periudhë tre apo katër vjeçare do të ketë presion të rritur për të bërë ndryshimet e duhura legjislative. Por, nuk është më ai presioni që është dukur që do të jetë në fillim. Fundja, ka vetëm një apo dy shtete brenda Bashkimit Evropian që në mënyrë eksplicite insistojnë në këtë, siç është për shembull, Gjermania”, tha ai.

Bashkimi Evropian dhe disa shtete, sipas tij, nuk kanë kërkesa të qarta.

“Kanë vetëm për sjellje ose për vazhdim të dialogut për normalizimin, e cila është rrugë shumë e ngadalshme, por të cilën Serbia e ka adaptuar”, thotë Rashiti.

Ndërsa Dragan Gjukanoviq, ekspert nga Qendra për politikë të jashtme, nuk pret që tash për tash do të ketë ndonjë ndryshim lidhur me këtë çështje.

“Mendoj që vetëm pas disa zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe pas rikonfigurimit të forcave politike në parlamentin serb do të mund të hapet kjo çështje. Por, tash për tash, nuk shoh ndonjë mundësi për aktualizim shtesë. Nuk e shoh që kjo mund të ndodhë as gjatë mandatit të një qeverie që do të formohet së shpejti”, tha Gjukanoviq.

Në fillim të muajit maj të këtij viti, në një intervistë për të përditshmen “The Wall Street Journal”, ish-kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili aktualisht është mandatar për formimin e qeverisë së re, pati thënë se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, në të cilat do të mund të përfshihej heqja e përcaktimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.