Lajme

Serbët e veriut shpallin pavarësinë nga Prishtina

Delegatët e katër komunave të veriut të Kosovës kanë miratuar sot një deklaratë me të cilën formojnë Kuvendit të Përkohshëm Autonom të Kosovës e Metohisë

Derisa po vazhdon presioni i gjithanshëm ndërkombëtar mbi Prishtinën dhe Beogradin për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, serbët e veriut kanë dal kundër normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Ata sot kanë miratuar një deklaratë me të cilën formojnë Kuvendit të Përkohshëm Autonom të Kosovës e Metohisë.

Kryetar i këtij Kuvendi është zgjedhur Sllavko Stevanoviq, përfaqësues i partisë socialiste të Serbisë, e cila drejtohet nga kryeministri Ivica Daçiq. Madje është ky i fundit ai që ka nënshkruar në Bruksel bashkë me kryeministri e Kosovës, Hashim Thaçi marrëveshjen për normalizimin raporteve ndërfqinjësore.  

“Pavarësinë” e veriut e kanë shpallur përfaqësuesit e katër komunave të veriut Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, në një mbledhje që Kuvendi i Serbëve ka mbajtur sot në Zveçan. Sipas burimeve nga Mitrovica, për miratimin e Kuvendit Autonom të Serbëve kanë votuar 97 delegatë.

Ky akt i serbëve të veriut konsideron si minim i marrëveshjes së Bruskelit, e cila është konsideruar e domosdoshme për kthimin e ligjshmërisë në komunat e rebeluara. Megjithatë autoritetet në Prishtinë dhe Beograd kanë thënë se implementimi i marrëveshjes nuk ka alternativë.

Ndërkaq në mbështetje të marrëveshjes kanë dalë edhe përfaqësuesit e aleancës Veriatlantike, të cilët kanë garantuar se do ta mbështesin në terren zbatimin e marrëveshjes.