Lajme

Sekretari shtetëror i Zvicrës, Maurer, në debat me qytetarët kosovarë

Maurer: “Kur të kthehem në vendin tim unë do t’ju them taksapaguesve se paratë e tyre janë shpenzuar në mënyrën e duhur”

©albinfo.ch: Mirënjohje e Komunës për Zotin Maurer

Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Novobërdës, në bashkëpunim me projektin Zvicër – Kosovë për qeverisje lokale dhe decentralizim – LOGOS, kishte organizuar më 23 shkurt debat publik për ekzekutimin e buxhetit komunal për vitin 2011.

Në hapje, kryetari i Komunës, Bajrush Ymeri tha se ky debat ka për qëllim ngritjen e transparencës të shpenzimit të parasë publike, dhe ngritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, në përmbyllje të vitit fiskal 2011.

© albinfo.ch: Delegacioni zviceran në vëzhgim të debatit

Në këtë debat ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Projektit LOGOS, në emër të të cilëve foli Merita Barileva, e cila dha një përshkrim të punëve që i kryen Projekti LOGOS.

„Fatin tonë nuk e kanë komunat tjera sot, që të jetë i pranishëm në takimet tona të punës delegacioni i prirë nga sekretari i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, z. Peter Maurer në shoqërim të ambasadores së shtetit zviceran në Kosovë, zonjës Krystyne Marty Lang, të konsullit të Ambasadës zvicerane në kosovë z. Christian Winter, të zëvendëskoordinatores rajonale për politika të Evropës dhe Azisë Qendrore, zonjës Claudia Bues, si dhe të mikut tonë të njohur Norbert Pijls, koordinator i projektit LOGOS“, tha para qytetarëve novobërdas kryetari i Komunës Bajrush Ymeri.

©albinfo.ch: Zyrëtaret komunalë dhe Logosi referojnë për ekzekutimin e buxhetit për vitin 2011

Në vazhdim, drejtori për Ekonomi dhe Financa, Gani Mustafa bëri prezantimin e ekzekutimit të buxhetit komunal për vitin 2011.

“Buxheti fillestar i miratuar në seancën e kuvendit komunal më 30 shtator 2011 ishte 2.150.328 euro. Gjatë vitit 2011 buxheti përfundimtar, më 31 dhjetor 2011 ka arritur në 2.985.990 euro, duke shënuar një trend të rritjes në 35.86% ose 835.662 euro. Gjatë vitit 2011 komuna ka realizuar një sërë projektesh kapitale në fushën e asfaltimit të rrugëve, të rrjetit elektrik, të ndërtimit të shkollave dhe ambulancave, të kanalizimeve, parqeve dhe fushave sportive”, tha Mustafa.

Gjatë debatit u shtruan pyetje të ndryshme që, sipas qytetarëve, paraja ka mundur të menaxhohet pak më ndryshe, duke shprehur më shumë ndjenjën e kursimit dhe të parandalimit në harxhime të panevojshme, si dhe investime më të theksuara në mirëqenien dhe avancimin e rinisë, bujqësisë dhe turizmit.

Në këtë kontekst debatuan shumë nga të pranishmit. Në pyetjet dhe shqetësimet e shumta u përgjigj kryetari i komunës, z. Bajrush Ymeri, i cili theksoi se kërkesat dhe nevojat për zhvillimin e komunës janë gjithmonë më të mëdha sesa buxheti i lejuar nga niveli qendror.

© albinfo.ch:Peter Maurer, sekretar i shtetit zviceran për punë të Jashtme

Në pjesën e dytë të këtij debati publik morën pjesë Peter Maurer, sekretar i shtetit zviceran për punë të Jashtme, Krystyna Marty Lang, ambasadore e Zvicrës në Kosovë, Christian Winter, konsull i Ambasadës zvicerane në Kosovë, Claudia Bues, zëvendëskoordinatore rajonale e Divizionit për politika të Evropës dhe Azisë Qendrore dhe Norbert Pijlls, koordinator i projektit LOGOS.

Në vazhdim qytetarët paraqitën punimet e tyre të ralizuara në grupe punuese ku kishin trajtuar dy tema bosht: investimet kapitale dhe të hyrat vetjake. Në emër të grupeve referuan Afërdita Vllasaliu dhe Jasmina Deniq. Ato paraqitën kërkesat e qytetarëve që synonin një demokraci më direkte, duke kërkuar bashkëpunim më të afërt mes zyrtarëve dhe qytetarëve, përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e komunës. Pjesë e debatit ishte edhe sekretari i Ministrisë i Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Peter Maurer.

Duke i përshëndetur dhe falënderuar të gjithë z.Maurer tha se i vinte mirë që komuniteti punon kaq shumë rreth projektit. “Po kështu po ndjehem mirë sikur të isha në shtetitn tim pasi që debate të këtilla mbahen edhe në Zvicër. Sidomos më vjen mirë që do të kthehem në Zvicër me një çështje të qartë se, projektet që i kemi realizuar në Kosovë janë realizuar nga mjetet e tatimpaguesve të Zvicrës, kështu që kur të kthehem në vendin tim unë do t’ju them atyre se paratë e tyre janë shpenzuar në mënyrën e duhur. Kam edhe një kënaqësi tjetër e cila ka të bëjë me atë se pjesëmarrja juaj e sotme ka të bëjë me debatimin se si të shpenzohet buxheti, se si të shpenzohen mjetet dhe fatbardhësisht nuk është debat ku ka të bëjë me dallime në etni”, tha Maurer duke falënderuar kryetarin e komunës, të gjithë zyrtarët komunalë dhe LOGOS-it, si implementues i projektit që i kanë mudnësiar të marrë pjesë në këtë debat.

Krejt në fund, në emër të qytetarëve të Novobërdës, kryetari Bajrush Ymeri falënderoi të pranishmit e në veçanti sekretarin e MPJ-së të Zvicrës, z. Maurer, të cilit ia dha një mirënjohje në shenjë falënderimi për shtetin zviceran.