Kosova

Rusia e izoluar, Evropa e bashkuar

Pragë, mesazhe të qarta nga krerët e 44 shteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje për në Pragë përfaqësoi Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), përcjell albinfo.ch.

Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

„Rusia është e izoluar në Evropë, e Evropa është e bashkuar edhe pa Rusinë.“ Ky është mesazh i qartë që u dërgua nga samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian  që është mbajtur dje në Pragë. Qëllimi i takimit të 44 liderëve evropianë ishte “të këmbehen pikëpamjet për situatën në  Evropë, por edhe të ndërtohet një strategji e përbashkët”, siç tha ideatori i këtij tubimi, presidenti francez Emanuel Macron. Ai shtoi se samiti përurues i Bashkësisë Politike Evropiane “tregon unitetin e kontinentit evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, theksoi rëndësinë e takimit për të demonstruar unitet lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë. Mirëpo, ai tërhoqi vërejtjen se forumi i Komunitetit Politik Evropian nuk duhet të shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar. “Nuk kemi të bëjmë me krijimin e një institucioni të ri me administratë dhe burokraci. Ky takim duhet të na shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin për gjëra konkrete”, tha Scholz.

Në samitin e Pragës mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përsëriti qëndrimin se „anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.“ Presidentja Osmani ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz. Ajo ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

Në mesin e shteteteve të ftuara në samitin e Pragës ishte edhe Serbia, e cila është një nga vendet që nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tha se “nuk ka frikë nga ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigjja ndaj liderëve evropianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”.