Kosova

Rritet numri i udhëtarëve në Kosovë

Transporti ajror, hekurudhor dhe sektori i telefonisë mobile kanë shënuar rritje gjatë muajit tetor 2025, ndërsa numri i përdoruesve të telefonisë fikse ka pësuar një rënie të lehtë

Transporti ajror dhe hekurudhor kanë shënuar rritje të ndjeshme në muajin tetor të vitit 2025, ndërsa sektori i komunikimeve fikse ka regjistruar një rënie të lehtë të përdoruesve.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin mujor për transportin dhe telekomunikacionin, nga i cili shihet se vendi po përjeton rritje të volumit të lëvizjeve dhe komunikimeve, sidomos në sektorin ajror dhe atë mobil.

Gjatë muajit tetor 2025, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë regjistruar gjithsej 1,168 fluturime, që paraqet një rritje prej 8.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën kohë, numri i udhëtarëve të transportuar ajror ka arritur në 386,174, duke shënuar po ashtu rritje prej 8.7 për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.

Kjo rritje lidhet kryesisht me rritjen e kërkesës për udhëtime turistike dhe punësimi jashtë vendit, por edhe me shtimin e linjave ajrore që operojnë në Prishtinë, veçanërisht drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve skandinave.

Edhe pse mbetet një nga sektorët më të vegjël në vend, transporti hekurudhor ka shënuar rritje të ndjeshme në qarkullimin e udhëtarëve.

Në Tetor 2025, me tren kanë udhëtuar 9,080 persona, që përbën 36.4 për qind më shumë se në tetorin e vitit 2024.

Megjithatë, nuk është regjistruar asnjë transport mallrash me tren gjatë këtij muaji, çka tregon se kapacitetet e transportit të ngarkesave përmes hekurudhës mbeten pothuajse të papërdorura.

Në anën tjetër, rrjeti telefonik fiks vazhdon të tkurret, si pasojë e migrimit të përdoruesve drejt platformave digjitale dhe komunikimeve mobile.

Në muajin Tetor 2025, numri i përdoruesve të telefonisë fikse ishte 67,783, duke shënuar rënie prej 0.4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Megjithatë, trafiku i realizuar në minuta është rritur në 1,981,558 minuta, që paraqet rritje të lehtë prej 0.7 për qind, duke treguar se ata që vazhdojnë ta përdorin këtë rrjet, e përdorin më aktivisht për komunikim.

Sipas raportit të ASK-së, telefonia mobile mbetet sektori më i fuqishëm i komunikimeve në Kosovë.

Në Tetor 2025, numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) ka arritur në 1,688,441, që është 2.74 për qind më shumë se në tetorin e vitit 2024.

Ndërsa përdoruesit me kontratë (Postpaid) janë rritur në 314,902, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.26 për qind. Këto të dhëna dëshmojnë se rrjeti mobil po vazhdon të zgjerohet, duke përfshirë gjithnjë e më shumë konsumatorë në shërbimet e internetit dhe komunikimit digjital.

Rritjet në transportin ajror, hekurudhor dhe në përdorimin e rrjeteve mobile tregojnë një dinamikë më të madhe të qarkullimit dhe komunikimit në vend.