Lajme

Rritet numri i emigrantëve ilegalë

Numri i madh i kosovarëve që ia kanë mësyrë Evropës për të kërkuar azil ka alarmuar autoritetet në Prishtinë

Qeveria e Kosovës është duke planifikuar bashkë me Prokurorinë e Shtetit dhe policinë që të koordinojnë veprimet për të parandaluar migrimin ilegal të qytetarëve.

Ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë se për këtë çështje janë duke punuar për së afërmi edhe me vendet në Bashkimin Evropian me qëllim që të bëhet kthimi i azilantëve që tashmë kanë mbërritur në vendet e Evropës.

Ajo ka konfirmuar se Qeveria është në dijeni se katërmijë kosovarë janë duke u mbajtur në Hungari të cilët që nga janari kanë bërë përpjekje që të ikin nga Kosova.

Dhe duke e parë se ky trend është në rritje, Çitaku tregon se janë intensifikuar punët e institucioneve të Kosovës me qëllim të ndaljes së tyre, transmeton gazeta Zëri.

“Në ditët vijuese do të kemi takim me ministrin e Punëve të Brendshme, me kryeprokurorin e shtetit dhe me drejtorin e Policisë së Kosovës në mënyrë që t’i koordinojmë veprimet me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni”, ka konfirmuar Çitaku.

Këtë shqetësim Çitaku e ka diskutuar edhe me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë njëherazi përfaqësuesin Special të BE-së, Samuel Zhbogar.

“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e shqetësuar në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve ilegalë nga Kosova drejt vendeve anëtare të BE-së”, ka njoftuar të hënën Zyra e BE-së në Prishtinë.

Nga zyra e Zhbogarit është konfirmuar për “Zërin” se ai ka pasur takime me ministren Çitaku në lidhje me rëndësinë e përmbushjes së planit të veprimit për liberalizimin e vizave dhe për ndaljen e trendit të azilkërkuesve nga Kosova.