Kosova

Rrezik edhe nga dy ortekë të tjerë në Brezovicë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se sot Qendra e Situatave ka mbajtur takim me përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së ku janë analizuar rezultatet e studimit të bërë dje në Qendrën e Brezovicës dhe gjendjen aktuale në këtë qendrën pas ortekut që ndodhi javën e kaluar.

Sipas agjencisë, ekzistojnë ende disa pika me rrezikshmëri të mesme.

“Si rezultat i diskutimit dhe analizës nga takimi ka dalë konkludimi se nga 7 pika kritike për ortiqe të mundshme, 5 prej tyre nuk paraqesin më rrezik për vizitorët dhe shfrytëzuesit e qendrës. Dy nga këto pika ende janë me rrezikshmëri të mesme. Nesër është planifikuar që FSK të bëjë rrëshqitjen dhe largimin e borës nga këto pika dhe eliminim e ortiqeve potenciale. Prandaj për këtë qëllim Qendra e Brezovicës do të mbetet e mbyllur edhe gjatë vikendit. AMMK do të ju mbajë të informuar për zhvillimet tjera që ndërlidhen me Qendrën e Skijimit në Brezovicë”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Disa ditë më parë Zëvendës Ministri i Diasporës, Arian Daci vdiq nga një ortek i cili e kishte zënë në Brezovicë.