Lajme
Rreth 40 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga nënshtetësia
Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që janë liruar nga nënshtetësia, janë pajisur me nënshtetësi gjermane, njoftojnë zyrtarë të MPB-së në Prishtinë
Brenda shtatë viteve të fundit (2009-2016) më shumë se 40 mijë qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia, për t’u bërë nënshtetas i ndonjë vendi tjetër të BE-së, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë. Kjo shifër konsiderohet shqetësuese nga ekspertë të zhvillimeve në Kosovë, pasi që trendi i lënies së shtetësisë po vazhdon.
Valon Krasniqi është drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë për REL se arsyeja e lirimit nga nënshtetësia në të shumtën e rasteve ka të bëjë me faktin se shumë shtete evropiane nuk lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit e Evropian.
Numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që janë liruar nga nënshtetësia, ka treguar Krasniqi, janë pajisur me nënshtetësi gjermane.
“Nga viti 2009 deri në janar të vitit 2017, shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë humbur me lirim, 37,823 persona. Duke pasur parasysh që shumica e shteteve të Bashkimit Evropian nuk e lejojnë dyshtetësinë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit e Evropian, atëherë shtetasit e Kosovës që kanë vendbanimin e rregullt në këto shtete në rast të plotësimi të kushteve për fitimin e shtetësisë së këtyre vendeve janë të obliguar të heqin dore nga shtetësia paraprake”, ka thënë Krasniqi.
Zara Hetemi, së bashku me familjen e saj katër anëtarëshe, jeton në Gjermani dhe ka zgjedhur nënshtetësinë e këtij shteti, duke hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Ndonëse vendimi për ta lënë shtetësinë e Kosovës nuk ka qenë i lehtë, ajo thotë se kishte arsye të shumta pse e kishte ndërmarrë një hap të tillë.
“Kushtet të cilat na i ofronte Gjermania nuk do ta na i ofronte Kosova. Kështu që vendosëm të bëhemi shtetas të Gjermanisë. Emocionalisht nuk ka qenë e lehtë, por duke pasur parasysh që Kosova nuk ofronte arsimim cilësor për fëmijët, kushte ekonomike më të mira dhe shëndetësi të mirë, ne u detyruam të heqim dorë nga nënshtetësia e Kosovës”, thotë ajo.
Njohës të zhvillimeve në vend, lirimin e qytetarëve nga nënshtetësia e Kosovës e konsiderojnë një lajm të keq dhe mjaft shqetësues për vendin. Si e tillë, kjo dukuri, thonë ata, kërkon reflektim serioz të atyre që e bartin përgjegjësinë publike.
Driton Selmanaj, nga organizata Demokraci Plus, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo dukuri është mesazhi më i qartë dhe më trishtues që do të ishte për institucionet e Kosovës dhe për ata të cilët menaxhojnë me shtetin.
“Nëse kemi pasur një vlug të madh të njerëzve të cilët pas luftës u kthyen në Kosovë për të ndërtuar jetën e tyre nga gërmadhat, gjithçka nga zero, dhe tash me vetë dëshirë pas 17 viteve liri dhe 8 viteve pavarësi, heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, do të duhej të ishte shqetësimi më i madh për klasën tonë politike. Kjo tregon faktin se deri ku e kemi sjell dilemën e njerëzve për të jetuar apo mos jetuar në Kosovë”, thotë Selmanaj.
Kosova gjatë kësaj periudhe të shtet-ndërtimit, thotë Selmanaj nuk ka arritur të krijojë një shtet me qëndrueshmëri ekonomike dhe zhvillim, arsim më cilësor dhe shëndetësi më të avancuar.
“Mënyra se si është qeverisur Kosova, mënyra se si institucionet e Kosovës kanë menaxhuar me vendin ka dekurajuar perspektivën e njerëzve në Kosovë dhe shumica e të rinjve perspektivën e tyre e shohin vetëm jashtë vendit, duke marrë edhe vendim eklatant, pra duke hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës”, thotë ai.
Në bazë të regjistrimit të deritashëm, janë mbi 400 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Regjistrimi i diasporës është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë kanë miratuar në mënyrë unanime vazhdimin e... -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje










