Lajme

Riatdhesimi, një prej kushteve për liberalizmin e vizave

Procesi i liberalizimit të vizave dhe tregtia e lirë me BE-në është i lidhur edhe me riintegrimin e të riatdhesuarve, madje është një prej kushteve. 

Në kuadër të riintegrimit të të riatdhesuarve sot është mbajtur një takim midis krerëve të nivelit qendror dhe atij lokal.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, janë koordinuar me përfaqësuesit e zyrave komunale për kthim dhe komunitete dha ata për integrime evropiane lidhur me kthimin e qytetarëve kosovarë nga vendet perëndimore dhe ata që janë shpërngulur nga Kosova pas vitit 1999.

Çitaku kërkoi nga zyrtarët komunalë që procesi i riintegrimit të vendoset si një prioritet i rëndësishëm për komunat dhe të punohet me përkushtim serioz në këtë drejtim.

Ministri Petroviq njoftoi se për procesin e riintegrimit Qeveria e Kosovës ka ndarë 3.5 milionë euro. Edhe ai kërkoi nga zyrtarët komunalë që të përgatiten të dhëna të sakta lidhur me statistikat e personave të riatdhesuar në mënyrë që ky proces të realizohet mbi bazën e raportimit faktik dhe të drejtë nga vet komunat.

Ndërsa ministri Rexhepi tha se destinimi kryesor i personave që do të kthehen është komuna, andaj përkushtimi i komunave në këtë drejtim duhet të jetë i një niveli mjaft të lartë.