Lajme

Reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në Kosovë e Shqipëri

Në Shqipëri janë shënuar edhe viktima nga përmbytjet, ndërsa në Kosovë është vështirësuar komunikacioni dhe shumë toka bujqësore janë përmbysur

Reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë Ballkanin perëndimor dy ditëve të fundit, kanë shkaktuar përmbysje në disa rajone të Kosovës dhe të Shqipëri. Madje në shtetin shqiptar janë shënuar edhe viktima dhe shkatërrim pronash, në Kosovë është vështirësuar komunikacioni, por edhe shumë toka bujqësore janë mbuluar me ujë, sikur të ishin liqene.

Sipas njoftimeve nga terreni, gjendje e rëndë nga reshjet e shiut dhe përmbytjet janë në Malishevë, Vushtrri, Viti, Fushë-Kosovë, etj.

Dalja nga shtrati e lumit Mirusha, ka bërë që situata të rëndohet nga përmbytjet, ndërsa disa rrugë që qojnë në fshatra janë bllokuar.

Aktualisht mbeten të bllokuara rrugët që të qojnë në Turjakë, Panorc, Rud, Llapçevë dhe Bubël, pastaj rruga Malishevë-Duhël, Malishevë-Kijevë, Mirushë-Gurbardh, ndërsa pjesërisht është bllokuar fshati Lubizhdë.

Situata e rëndë vazhdon në Bellanicë, Banjë, Malishevë dhe vendbanimet tjera që shtrihen përgjatë lumit Mirusha, ndërsa prurjet e ujit duken shumë më të mëdha se të vërshimeve të janarit të këtij viti.

Në Komunën e Rahovecit është formuar shtabin komunal për emergjencë, kurse në Vushtrri reshjet e shiut që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Kosovës kanë bërë që qarkullimi i automjeteve të vihet në vështirësi. Edhe shumë fshatra të Fushë-Kosovës, Lypjanit e Vitisë, janë mbushur me ujë.

Edhe në Shqipëri, sot raportohet për përmbytje nga shirat e pandërprera. Në disa rajone të rrethit të Shkodrës ka ndërhyrë policia sh ushtria duke i zhvendosur disa familje edhe me helikopterë. Reshjet kanë shkaktuar vërshime kryesisht rreth lumit Mat, Drin dhe Buna në pjesën e Shkodrës. Një person i zhdukur në lumin mat, akoma nuk është gjetur.

Ndërkaq, një ditë më parë mediat lokale në tiranë njoftuan se nga vërshimet tre qytetarë kanë humbur jetën në afërsi të kryeqytetit shqiptar.