Lajme

Rënie shqetësuese e natalitetit në Shqipëri

Shqipëria dikur ishte vendi i parë në Evropë për numrin mesatar të lindjeve me 7 fëmijë për një grua, ndërsa aktualisht shifra ka zbritur në 1.6 fëmijë. Nëse vazhdojnë këto statistika, në vitin 2028 në Shqipëri më shumë do të vdesin se sa do të lindin

O.Sh, nënë e një fëmije 4 vjeç ka bërë vizitë tek gjinekologia në Spitalin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku ka arritur të planifikojë abort për foshnjën një muaj e gjysmë. E kam të pamundur të rris dhe një fëmijë të dytë,

“Me pëlqimin dhe të bashkëshortit do ta ndërpres shtatzëninë. Sapo kam marrë një pozicion të lartë në kompaninë celulare, ku punoj prej rreth katër viteve. Burri im drejton një biznes privat dhe thuajse gjithë ditën është në punë. E kemi të pamundur të rrisim dhe një fëmijë tjetër”, thotë ajo për DW.

Dekadën e fundit është vërejtur një rënie e dukshme e lindshmërie në Shqipëri, duke treguar parametra shqetësuese mbi rritjen mekanike të popullsisë. Sipas statistikave, Shqipëria dikur ishte vendi i parë në Evropë për numrin mesatar të lindjeve me 7 fëmijë për një grua, ndërsa aktualisht shifra ka zbritur në 1.6 fëmijë.

Ulja e lindshmërisë vjen si pasojë e tranzicionit politik e ekonomik në Shqipëri, konsiderojnë sociologët.

Në ambientet e jashtme së Spitalit obsentrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Marta Hoxha është duke pritur nusen e djalit. Si gjyshe me 5 nipër e mbesa, Marta thotë se ardhja në jetë e fëmijëve është momenti më i gëzuar i jetës për prindërit.

“Sot gjërat janë ndryshe, nënat e reja bëjnë llogari, duke dashur vetëm një fëmijë. Harrojnë se lindja i shërben dhe shëndetit të tyre dhe harmonisë në familje”, thotë ajo e emocionuar dhe e paduruar deri sa të ketë në shtëpi nipin e saj të sapolindur.

Për lindshmërinë e fëmijëve ka opinione të ndryshme në Shqipëri, por ajo që pranohet nga të gjithë është fakti se numri i tyre ka ulje të dukshme nga viti në vit.

Bazuar në statistikat zyrtare, nëse në vitin 1960 vendi ishte i pari në kontinent për numrin mesatar të lindjeve për një grua, që shkonte në 7. Por në vitin 2012 kjo kuotë u ul në 1.72 fëmijë për grua dhe aktualisht shifra ka arritur në 1.6.

Duke ju referuar parashikimeve të statistikave, përllogaritet që në vitin 2028 në Shqipëri më shumë do të vdesin se sa do të lindin.

Për ekspertët e demografisë reduktimi i numrit të lindjeve është shkaku kryesor për atë që thirret si “plakja e shoqërisë”.

Këtë qasje graduale e konfirmojnë shifrat zyrtare të rritjes së moshës mesatare në vend. Nëse psh., në vitin 2001 mosha mesatare në vend ishte 26.6 vjeç, pas 10 viteve shifra shkoi në 32.5, ndërkohë që vitin e kaluar mosha mesatare është 36.6 vjeç.

Profesori i sociologjisë Kosta Barjaba e shikon uljen e lindshmërisë të lidhur me tranzicionin politik dhe ekonomik në Shqipëri, ku në të njëjtën kohë po përjetohet edhe tranzicioni demografik. Sipas tij, ulja e lindshmërisë është një ndër aspektet më të dukshme të këtij tranzicioni.

Duke shpjeguar arsyet kryesore Barjaba përmend atë që e përshkruan si stoku dhe flukset e larta migracionit të shqiptarëve.

“Shqipëria ka aktualisht jashtë vendit rreth një të tretën e popullsisë ose një numër emigrantësh më të madh sesa forca e punës. Arsye tjetër është sepse kushtet e reja politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore sjellja shoqërore, riprodhuese dhe familjare e shqiptarëve ka ndryshuar, duke shkaktuar edhe një modifikim të pikëpamjeve të familjeve, sidomos çifteve të reja, ndaj numrit të fëmijëve”, thotë ai.

Profesori i sociologjisë mendon se me këto ritme të uljes së lindshmërisë, e cila ka shkaktuar uljen e popullsisë, Shqipëria ecën përkundër prirjes globale të shtimit të popullsisë…