Lajme

Remitencat, vetëm për konsum

Sipas Bankës Popullore, në emër të remitencave vitin e kaluar ë Maqedoni janë grumbulluar mbi 1 miliard euro. Shumica kanë shkuar për konsum

Diaspora shqiptare në Maqedoni, vazhdon të shihet si një burim kryesor për të vënë në lëvizje ekonominë e këtij shteti. Kështu konsiderojnë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, mërgimtarët shqiptarë po vazhdojnë ta mbulojë edhe boshllëkun e krijuar ndërmjet profitit dhe konsumit.

 

Nga 1 janari deri më 31 mars , në buxhetin e Maqedonisë janë grumbulluar 525 milionë euro para nga tatimet dhe kontributet, ndërsa shpenzimet kanë shkuar në 705 milionë euro. Sipas ekspertëve mungesën prej 180 milionë eurosh parashihet ta mbulojnë bashkatdhetarët.

 

Arben Halili është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ai tha se diaspora në Maqedoni, veçanërisht ajo shqiptare akoma vazhdon të shihet si një burim kryesor që shërben për të vënë në lëvizje ekonominë e vendit.

 

“Të ardhurat që vijnë nga diaspora, janë leva kryesore lëvizëse e ekonomisë vendore dhe falë saj, shumë biznese arrijnë të sigurojnë mbijetesën”, tha ai.

 

Në takimet që kjo odë ka zhvilluar me bizneset e vogla, sipas tij, shpeshherë afaristë thonë se janë të detyruar të paguajnë me humbje qiranë në pritje të tre ose katër muajve të verës, ku sipas Halilit, mund ta mbulojnë koston e qirasë dhe njëkohësisht të sigurojnë një fitim sado të vogël mbijetese.

 

Ai konsideron se është koha e fundit që shteti të ndërtojë politika të qëndrueshme për menaxhimin e mjeteve që sjellin mërgimtarët gjatë ardhjes në vendlindje, po edhe mjeteve që ata lënë për mbijetesën e të afërmve të tyre.

 

“E para, të gjejë mekanizma të tjerë stimulues zhvillimorë që të mos presin vetëm stinën e verës për të gjeneruar fitim, por të njëjtat të jenë fitimprurëse gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit. Dhe, e dyta, qeveria duhet të bëjë të mundur që remitencat ekonomike, gjegjësisht të ardhurat e diasporës, të mos shihen vetëm si mjete mbijetese”, tha Halili, citon REL.

 

Sipas tij, Qeveria duhet ta gjej një mekanizëm, i cili do të bëjë ridestinimin e këtyre mjeteve nga mjete për konsum, në mjete për investime, në mënyrë që paratë e mërgimtarëve “të paraqesin një impuls për lëvizjen pozitive të ekonomisë së vendit”.