Lajme
Remitencat u rritën për 7 për qind
Dërgesat e bashkatdhetarëve kosovarë shënuan rritje gjatë vitit 2014, duke mbetur edhe në vitin tjetër, stabilizatori i gjendjes ekonomike e sociale në Kosovë
Diaspora kosovare edhe gjatë këtij viti, ka qenë një financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve në vend, duke dërguar rreth 600 milionë euro remitenca. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e mërgimtarëve sivjet kanë shënuar rritje për 6.9 për qind, duke shkuar në 291.3 milionë euro, vetëm për 6 muajt e parë të vitit.
Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, ky trend i remitencave do të vazhdojë edhe në pesë vjetët e ardhshëm. Po ashtu edhe në Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2015, është parashikuar që niveli i këtyre dërgesave të jetë stabil dhe të përcjellë trendët e rritjes së deritanishme.
Sipas statistikave, 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, derisa 22.4 për qind prej tyre pranojnë remitenca prej familjarëve.
Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri ka thënë për REL se remitencat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
“Këto të ardhura e sigurojnë një përqindje të madhe të të hyrave financiare të popullsisë në Kosovë dhe e plotësojnë një boshllëk që i nevojitet vendit për të paguar importin e mallrave dhe shërbimeve, të cilin e kemi shumë më të madh se sa eksportin. Këto remitenca kanë ndikuar në rritjen e standardit jetësor të së paku 30 për qind të familjeve në Kosovë”, thekson Shatri.
Shuma e dërgesave të emigrantëve kosovarë vlerësohet të jetë më e lartë sesa të dhënat zyrtare, pasi që shumë familje të cilat jetojnë jashtë vendit dërgojnë para edhe përmes familjarëve të tyre, apo i japin personalisht, jo përmes institucioneve financiare.
Sikur të mos ishin këto mjete të emigrantëve kosovarë, që në vit kapin shifrën e mbi 500 milionë euro, sipas ekspertit të ekonomisë Haki Shatri, përqindja e varfërisë në Kosovë do të ishte shumë më e madhe.
Megjithatë, një çështje tjetër që sipas Shatrit, duhet të shqyrtohet nga institucionet e Kosovës është që këto dërgesa të emigrantëve të orientohen në investime dhe zhvillim.
Eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, ka thanë se deri më tani këto investime nuk janë trajtuar si investime të huaja. Dhe për këtë arsye, siç thekson Rexhepi, ato kanë shkuar vetëm në financimin e nevojave elementare të familjeve dhe jo në investime të ndryshme, prej të cilave do të ishte përfitimi më i gjerë.
“Mënyra e shpenzimit të remitencave ndoshta është dashur të kanalizohet pak më ndryshe, jo aq shumë prej vullnetit të dërguesit apo pranuesit, por duhet të ketë ligje apo forma tjera të cilat japin një përparësi të investimit të parasë nga diaspora”, deklaroi Rexhepi.
Ndërsa profesori i ekonomisë, Naim Gashi ka thënë më herët për Albinfo.Ch, se dërgesat e diasporës duhet të orientohen në investime, dhe jo në konsum.
“Duke pas parasysh nevojën e madhe të Kosovën për investime nga jashtë, dërgesat e diasporës është mirë të orientohen në investime në Kosovë. Në këtë mënyrë bashkatdhetarët tanë do të vazhdonin t’ju ndihmonin të afërmve të tyre në Kosovë, do të gjeneronin vende pune, por ata në këtë mënyrë do të krijonin edhe të ardhura për veten e tyre”, ka thënë Gashi.
Në këtë mënyrë diaspora, sipas tij, do të motivohej edhe më tepër për shtimin e investimeve “për të cilat ka jashtëzakonisht shumë nevojë ekonomia e Kosovës”.
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç Austria do të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 14 vjeç, sipas një marrëveshjeje... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja














