Lajme

Reagimet pas tragjedisë në Mal të Zi

34-vjeçari qëlloi për vdekje të 11 persona, ku më pas ndërhyri policia duke e qëlluar autorin e sulmit për vdekje

Qeveria e Malit të Zi do të shpallë tri ditë zie për tragjedinë e madhe që ndodhi sot në Cetinjë, ku mbetën të vrarë 11 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, mes tyre një polic.

Këtë informacion e ka bërë të ditur kryeministri Dritan Abazoviç në Telegram.

Sipas mediave, pas një konflikti familjar, një burrë 34-vjeçar ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi disa persona.

Policia ka reaguar menjëherë dhe ka tentuar të neutralizojë të dyshuarin, i cili nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë, e cila është kundërpërgjigjur, me ç’rast i dyshuari ka mbetur i vrarë, sipas agjencisë së lajmeve Beta, transmeton albinfo.ch.

Qyteti i Cetinjës ndodhet 36 kilometra në perëndim të Podogricës. Sipas dëshmitarëve, sulmuesi po qëllonte mbi kalimtarë rasti në rrugë, përfshirë fëmijë. Katër nga të plagosurit janë dërguar në spitalin e Cetinjës, ndërsa dy të tjerë me plagë të rënda janë dërguar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

Në vendngjarje ndodhet prokurori i lartë i shtetit, forcat e emergjencës dhe policia.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar se ngjarja e sotme në Cetinje (Cetinë), ku është raportuar për 11 të vdekur, është një tragjedi që Mali i Zi nuk e mban mend.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Malit të Zi që të jenë me familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit e tyre, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Cetinjës”, është shprehur Abazoviq në Telegram.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, është shprehur i tronditur për tragjedinë në Cetinë. “Të gjithë ne si shoqëri duhet të solidarizohemi me ta në këto kohë të vështira”, ka shkruar Gjukanoviq në Twitter.

Kryetarja e Kuvendit në Malin e Zi, Danijela Gjuroviq, ka thënë se është e tmerruar dhe e prekur thellë nga tragjedia e sotme në Cetinje, e cila siç është shprehur ajo, tronditi gjithë vendin.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe miqtë e viktimave dhe shpresoj se nuk do të dëshmojmë më kurrë diçka të ngjashme në vendin tonë”, ka shkruar ajo në Twitter.