Tematike
Vrasja e vogëlushit shqiptar, në Gjykatën e Apelit: Krimi mund të parandalohej
Tri javë para aktit, ajo kishte raportuar përsëri në Lozanë (selia e Gjykatës Federale): Ajo e sheh si detyrë të saj të inicojë "aktin e vetëmbrojtjes" në çdo kohë nga 1 marsi 2019
Më 21 mars të vitit 2019, zvicerania 75-vjeçare A. F. ka vrarë me thikë vogëlushin shqiptar, Iliasin shtatë vjeçar teksa ai po kthehej nga shkolla në shtëpi.
Në gusht të vitit të kaluar autores së vrasjes, nga Gjykata Penale e Bazelit është caktuar masa e kujdestarisë (masë në psikiatri) por tashmë familja e të ndjerit po e çon çështjen në gjykatën e apelit, transmeton albinfo.ch.
Rasti i rëndë pati shkaktuar tronditje edhe përtej kufijve të vendit. Siç raporton tani gazeta “NZZ”, prindërit e djalit po e çojnë çështjen në gjykatën e apelit. Sipas gazetës, si familja e Iliasit ashtu edhe autorja e krimit kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës penale. Madje, vrasësja A. F. kërkon të lirohet nga akuza e vrasjes.
75-vjeçarja dhe partneri i saj kishin dërguar letra në adresë të autoriteteve dhe gjyqësorit për dyzet vite me radhë në lidhje me një komplot të pretenduar kundër tyre, përcjell albinfo.ch. Një raport psikiatrik ka konfirmuar se A. F. kishte një sëmundje deluzionale me pak perspektivë për trajtim të suksesshëm.
Avokati i familjes së viktimës ka kërkuar 18000 franga dëmshpërblim për prindërit dhe 185000 franga në emër të kompensimit. Mirëpo, këto pretendime janë rrëzuar në gjykatë me arsyetimin se dorasja nuk ka pasur pasuri. Në atë kohë, avokati i familjes së Iliasit e kishte konsideruar këtë vendim si “tallje me familjen” dhe e kishte apeluar.
A mund ta kishin parandaluar autoritetet aktin e tmerrshëm?
A. F. në letrat e saj drejtuar autoriteteve kishte paralajmëruar vazhdimisht se do të bënte një akt dhune me qëllim që të dëgjohej shqetësimi i saj. Ajo kishte kërcënuar me një “vrasje vetëmbrojtjeje” nëse autoritetet nuk kujdeseshin për rastin e saj.
Në vitin 2018, A. F. i kishte shkruar Gjykatës Federale se një akt dhune nga ana e saj ishte i pashmangshëm, transmeton albinfo.ch. Madje, vetëm tri javë para aktit, ajo kishte raportuar përsëri në Lozanë (selia e Gjykatës Federale): Ajo e sheh si detyrë të saj të inicojë “aktin e vetëmbrojtjes” në çdo kohë, nga 1 marsi 2019.
Lidhur me të gjitha këto, prindërit e Iliasit thonë për “NZZ” se shteti e dinte prej kohësh se kush ishte A.F dhe çfarë planifikonte të bënte. Ajo duhet të ishte ndaluar, sipas prindërve. Para gjykatës së apelit, e cila do ta hapë çështjen sërish vitin e ardhshëm, pyetja kryesore duhet të jetë nëse autoritetet mund ta kishin penguar aktin ose jo.
Gazeta “NZZ” ka botuar në numrin e të martes një artikull të zgjeruar me titullin “Si e përjeton një familje vrasjen e të birit”, lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në muajin mars të vitit 2019. Aty pasqyrohet gjendja e familjes së pikëlluar gjatë gjithë kësaj kohe. Përmes përshkrimit të hollësishëm të asaj çfarë kanë përjetuar dhe po përjetojnë prindërit e Iljasit, jepet një tabllo e dhimbshme për një familje që ka humbur më të shtrenjtin, fëmijën e saj, që ishte vrarë në mënyrë mizore, nga nuk pritej.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
“Parabolat e jetës dhe artit”, një pasqyrë reale e krijimtarisë së Mal Myrtajt Është promovuar libri “Parabolat e jetës dhe artit” me autor Arsim Kajtazin që i kushtohet veprës... -
Bern
Folklori muzikor, këngë e valle shqipe në klasat e Bernës -
Kandidati për kryebashkiak i Nju-Jorkut bën shqiponjën me duar -
Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku dhe pedagogu shqiptar -
Shtyhet Samiti i katërt i Diasporës
Jeta në Austri
-
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese










