Pas dështimit të transferimit të mundshëm te Milani, kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është përfolur sërish për një lëvizje drejt Serie A, kësaj here te Juventusi. Sipas të përditshmes italiane Gazzetta dello Sport, klubi torinez e ka futur 32-vjeçarin në listën e objektivave të merkatos verore, raporton albinfo.ch.
Çmimi i mundshëm i transferimit për mesfushorin e Bayer Leverkusenit mendohet të jetë midis 12 dhe 15 milionë euro, një shumë e arsyeshme për përvojën dhe nivelin që ofron Xhaka, i cili sezonin e kaluar shkëlqeu në Bundesliga dhe në Europa League nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Megjithatë, një lëvizje e tillë varet nga e ardhmja e Douglas Luiz, i cili pritet të largohet nga Juventusi. Vetëm pas shitjes së brazilianit, Juventusi mund të konkretizojë interesimin për Xhakën.
Në listën e dëshirave të kampionëve italianë të rekordeve ndodhet edhe mesfushori i Newcastle United, Sandro Tonali, i cili thuhet se është përpara Xhakës në prioritetet e klubit. E megjithatë, përvojat e Xhakës në Premier League, Bundesliga dhe turnetë ndërkombëtarë e bëjnë atë një alternativë të fortë dhe të gatshme për të përforcuar mesfushën e “Zonjës së Vjetër”, raporton albinfo.ch.