Lajme

“Raporti Marty ka traumatizuar shqiptarët”

Mediat zvicerane i kthehen reagimeve në diasporën shqiptare në Zvicër ndaj raportit të Dick Marty-t

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, një bombë e vogël u lancua mbi Kosovën. Raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, këshilltari tiçinez Dick Marty,  e ka prezantuar një raport të titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe kontrabandimi i organeve njerëzore në Kosovë”.

Duke përkujtuar lidhjet e gjata në mes të krimit të organizuar dhe politikës në këtë rajon, ai është fokusuar në një epizod veçanërisht të tmerrshëm: Organet njerëzore nga të burgosurit serbë, në vitin 1999 ishin grumbulluar në një klinikë në territorin shqiptar, e më pas ishin transportuar jashtë vendit, për tu shitur në tregun e zi.

Akuzat rëndonin drejtpërdrejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Udhëheqësi i atëhershëm, kryeministri aktual Hashim Thaçi, u kualifikua si “autori kyç“ i krimit të organizuar.

Më 25 janar të këtij viti, Këshilli i Evropës e miratoi raportin në fjalë me një shumicë dërmuese, duke kërkuar një hetim serioz mbi trajtimin jonjerëzor të të burgosurve serbë, gjatë dhe pas luftës.

Bashkim Iseni, drejtor i portalit albinfo.ch, shprehet rreth ndikimit të këtij raporti në ndjenjat e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Fillimisht, zotëri Iseni ka deklaruar se komuniteti shqiptar e ka pranuar shumë rëndë publikimin e raportit, si një traumë për të gjithë shqiptarët, si në Zvicër, po ashtu edhe në Ballkan. “Ky raport është pranuar si një fushatë për ta baltosur imazhin e shqiptarëve në përgjithësi, si një sulm kundër Pavarësisë së Kosovës dhe kundër UÇK-së.

Sidomos në diasporë, ku shumica e personave ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së, për faktin se ky raport ishte publikuar nga një senator zviceran dhe që u pritë shumë keq”, ka deklaruar Iseni.

Sa i bindshëm ka qenë raporti tek shqiptarët ?

“Shumica e shqiptarëve nuk i besojnë kësaj teze, por e njëjta, tani kur janë ngritur akuzat, dëshiron që e vërteta të dalë në shesh.

Edhe po që se raporti thekson vetëm ‘disa raste të vogla’, krimet e përmendura do ta turpëronin dhe delegjitimonin luftën të cilën e kanë bërë shqiptarët tashmë shumë dekada.

“Dick Marty, në raportin e tij ka shkruar: ‘Të gjithë në Kosovë e dinë për ate se ç‘ka ndodhur, por askush nuk flet, me përjashtim të bisedave private. Ata presin tashmë kohë të gjatë që e vërteta të dalë në shesh’? A është edhe kjo ndjenja e juaj?

E tërë sfida e këtij raporti është në formulimin e paqartë të tij. Rilexojeni përmbajtjen e këtij paragrafi në kontekstin orgigjinal të tij dhe do të bindeni se nuk kuptohet dot aludimi i Dick Marty-t. Në trafikim të organeve? Nuk mendoj ashtu, pasi njerëzit janë tërësisht të befasuar kur i dëgjojnë këto akuza…

Vallë, a flet ai në përgjithësi për krimet e kryera gjatë luftës nga shqiptarët? Po, ndoshta ka një tabu rreth kësaj. Paqartësia midis këtyre dy gjërave ka pasur jehonë si ndonjë bombë. Dhe shumica e mediave kanë filluar të merren me çështjen, duke përfshirë edhe ato zvicerane.

Iseni më tej ka theksuar se për të dalë e vërteta në shesh, duhet punuar hap pas hapi dhe se ky raport ka nxitur hetime serioze për daljen në dritë të së vërtetës. “Por shikojeni titullin e raportit, ai vë në qendër çështjen e trafikimit të organeve, përderisa ideja është shumë më e gjerë”.

Gjatë një interviste dhënë ‘albinfo.ch’ në janar të këtij viti, Dick Marty na ka thënë se nuk është ai i cili e ka zgjedhur titullin, por atij i ishte ‘caktuar’. Është shumë lehtë të nxirresh ashtu”, thekson Iseni më tej.

“Intervista të cilën e kishte bërë ‘Albinfo.ch’ me Dick Marty, në masë të madhe i ka lehtësuar dhe qetësuar shqiptarët, pasi ai kishte sqaruar në mënyrë thelbësore raportin e tij, që kishte lënë shumë hapësirë për tu interpretuar”, shpjegon Iseni.

Për cilat pika Marty ka dhënë sqarime thelbësore ?

Ndërsa në pyetjen se për cilat pika Marty ka dhënë sqarime thelbësore, ai është përgjigjur: “Ai për shembull tha se për te, çështja e Pavarësisë së Kosovës, ishte një kapitull i mbyllur.

Ai më tej tha se nuk kërkon që të vë në plan të njëjtë krimet e kryera sistematike e metodike serbe dhe ato të kryera individualisht nga shqiptarët gjatë luftës. Sidomos, ai e rehabilitoi UÇK-në dhe mohoi të ketë thënë ndonjëherë se Hashim Thaçi është i implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në trafikimin e organeve.

Kjo intervistë e cila zgjati më tepër se një orë, u emetua në televizionin kosovar dhe u transkriptua në ueb faqen e ‘Albinfo.ch’ në tri gjuhë. Deklaratat e tij gjithashtu patën jehonë të madhe edhe në shtypin ndërkombëtar”, sqaroi drejtori i “Albinfo.ch”.

Duke përfunduar intervistën, Iseni ka deklaruar: “Pas intervistës së dhënë në ‘Albinfo.ch’, Dick Marty përsëri ka dhënë deklarata për mediat zvicerane, duke lënë hapësirë për paqartësi. Ai gjithnjë mbrohet me ‘interpretimet’ të cilat ia kanë bërë raportit të tij, ndërsa ‘Albinfo.ch’ i vuri në pah të gjitha paqartësitë”.

Bashkim Iseni

1971 Ka lindur në Maqedoni nga prindër kosovarë.1990 Vjen në Zvicër.2005 Doktoron në Shkenca politke në Universitetin e Lozanës.2007 Merr shtetësi zvicerane.2010 Bëhet bashkëpunëtor në Forumin zviceran për studimin e migrimit dhe të popullatës, në Universitetin e Neuchâtelit. Dalja në dritë e “Albinfo.ch”

albinfo.chE themeluar në tetor të vitit 2010, ueb faqja “Albinfo.ch” ofron lajme mbi Ballkanin dhe aktualitetin zviceran për rreth 250.000 shqipfolës në Zvicër. Një pjesë e mirë e artikujve janë të përkthyera në gjuhët frënge dhe gjermane. Platforma e cila ka të punësuar katër persona për kohë të pjesërishme (dy në Lozanë dhe dy në Cyrih), është e përkrahur nga Konfederata zvicerane gjatë fazës së saj fillestare.

Intervistën e plotë në frëngjisht mund ta lexoni në: http://www.hebdo.ch/bashkim_iseni__le_rapport_marty_a_traumatise_89000_.html

<!–[if gte mso 9]–>