Lajme

Raporti i Marty-t kundër SHBA-së

Raporti në esencë është edhe kundër SHBA-së, e cila ndihmoi popullin e Kosovës të çlirohet nga dhuna e Millosheviqit

Kurrë më parë deri më tash nuk kemi vërejtur, së paku jo gjatë 25 vjetëve të fundit, një ofensivë kaq intensive, aq e ashpër dhe e koordinuar politike  kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe politikës së jashtme të saj. Po përdoren të gjitha mjetet e mundshme vetëm për ta paraqitur shtetin më të fuqishëm në botë si agresor dhe mbështetës i popujve që s`e ‘merituakan’ mbështetjen. Wikileaks është një nga këto përpjekje që të krijohet percepcion global se amerikanët nuk janë ashtu si i njohim, por “janë të këqij”. Mu në kohën kur Wikileaks ishte lajm në tërë botën, për të mos e lënë situatën të ftohet, del  një sulm tjetër që godet edhe SHBA-në. Është raporti i Dick Marty-t!

Edhe pse ky raport në pjesën më të madhe të vet akuzon UÇK-në dhe liderët e saj për trafikim organesh gjatë luftës, ai në esencë është raport edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ndihmuan popullin kosovar të çlirohet nga dhuna dhe terrori i regjimit të Millosheviqit. Duke goditur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e njollosur atë, po tentohet të rrëzohen argumentet e SHBA-së për të mbrojtur një popull që rrezikohej nga politikat shfarosëse të Millosheviqit. Po tentohet të rrëzohen argumentet e SHBA-së për përkrahjen që i dha shpalljes së pavarësisë së Kosovës!

Po tentohet që argumentet që i përdorte dikur Millosheviqi kundër popullit shqiptar të Kosovës, e që tash në mënyrë më të sofistikuar po i përdor Tadiqi, të justifikohen! Po tentohet të justifikohet terrori që është bërë mbi shqiptarët e Kosovës! Duke paraqitur UÇK-në si kriminale po bëhet përpjekje që të krijohet përshtypja globale se ‘ja kënd e kanë ndihmuar amerikanët, njerëzit që i marrin organe njerëzve të pafajshëm dhe i shesin ato”. Thënë thjesht, raporti ka për qëllim të turpërojë ato vende që ndihmuan popullin e Kosovës të shpëtojë nga shfarosja dhe që përkrahën pavarësinë e vendit.

 

Reagimet e Serbisë ndaj raportit tregojnë më së miri se sa i koordinuar ka qenë plani për hartimin e këtij raporti. Menjëherë në ditën e parë të publikimit të raportit, autoritetet në Beograd filluan ofensivën, që dukej shumë e planifikuar. Fillimisht i sulmuan ata që kanë njohur pavarësinë e vendit, pastaj ata që ishin përgjegjës në UNMIK për hetimet për krimet e luftës. Madje paralajmëruan ngritjen e padive ndërkombëtare. Menjëherë serbët filluan t’i promovojnë ‘argumentet’ që pavarësia e Kosovës nuk është dashur të ndodhte.

 

Raporti sulmon edhe një pikë shumë të rëndësishme! Tenton që ta paraqesë Shqipërinë agresore, duke pretenduar se ka pasur burgje sekrete me robër lufte nga Serbia. Dhe në këtë mënyrë të ‘argumentohet’ se edhe Shqipëria ka qenë e përfshirë në luftën mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ‘argument’ përdoret për t’i dhënë mundësi pastaj Serbisë që të kërkojë që të hyjë Shqipëria në bisedime për Kosovën duke e bërë kështu të parëndësishëm rolin e palës kosovare në këto bisedime.

 

Qëllimi është që Serbia të negociojë me Shqipërinë dhe të bëjnë pazar për Kosovën. Ky ka qenë qëllim edhe i Millosheviqit, që ta fusë në luftë edhe Shqipërinë dhe në këtë mënyrë të prezantohej në organizmat ndërkombëtarë, konflikt mes dy shteteve për një territor të caktuar siç është Kosova. Dhe në këtë mënyrë nuk do të ekzistonte më Kosova, gjysmën do ta merrte Serbia, gjysmën Shqipëria! Ky qëllim i Millosheviqit nuk u realizua, pasi që shteti shqiptar nuk ra në këtë grackë dhe as në provokimet e Millosheviqit. Është pikërisht politika shumë e matur e Shqipërisë që i ndihmoi jashtëzakonisht shumë themelimit të Republikës së Kosovës.

 

Dhe tash po tentohet, përmes raportit të Dick Marty-t, që sërish, por në mënyrë më të sofistikuar që të ‘argumentohet’ që Shqipëria ka qenë e përfshirë ‘drejtpërdrejt’ në luftën e Kosovës. Dhe në këtë mënyrë të shpallet agresore. Duke e paraqitur si kriminale, po tentohet që UÇK të nxirret jashtë lojës, duke rrëzuar kështu edhe qëllimin e ekzistimit të saj si një forcë që ka qenë e detyruar të kapë armët e të luftojë kundër një regjimi terrorist. Dhe në këtë mënyrë të rrëzohet edhe argumenti amerikan, se kanë ndihmuar një popull që rrezikohej nga shfarosja. Kështu Serbia do të ketë shumë të favorshëm pozicionin e saj në bisedime ku shumë të lehtë do ta ketë të kërkojë copëtimin e Kosovës. Të kërkojë pjesët e banuara me serbë t’i bashkohen Serbisë, e me pjesën tjetër bëni çka të doni!

 

Sigurisht raporti i Marty-t, që duket i koordinuar shumë mirë me Serbinë, Rusinë dhe aleatë të tyre, është i dështuar që në start të njollos politikën amerikane, pasi që ekzistojnë argumente 1 milionë herë më të fuqishme se ato të Marty-t që justifikojnë fuqishëm ndihmën amerikane për popullin e Kosovës. Ende janë të freskëta, pamjet e fotografitë tmerruese të fëmijëve shqiptarë të masakruar në mënyrat më të tmerrshme të mundshme, grave shtatzëna të cilave forcat serbe ua kishin nxjerrë fëmijët nga barku duke i shqyer me thika, pushkatime masive të njerëzve të pafajshëm, djegie e 80% të Kosovës. Dhe të gjitha këto u bënë nga forcat serbe të Millosheviqit. Këto ishin edhe arsyet pse SHBA dhe aleatët e saj ndihmuan Kosovën. Dhe këto me të vërtetë janë argument reale. Këto krime janë dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës! Kjo është dëshmuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 

Ajo që duhet të bëjë Shqipëria, Kosova por edhe SHBA-të dhe aleatët tjerë, është që të punojnë që të rrëzojnë të gjitha ‘argumentet’ e Dick Marty-t, dhe në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të fitojnë argumentet reale, ato që çuan në pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sigurisht që edhe vet gatishmëria e palës kosovare por edhe të asaj shqiptare që kanë bërë thirrje që të hetohen menjëherë akuzat e Marty-t në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të pastrohen të gjitha këto dyshime, tregon se nuk ka asgjë për t’u fshehur!

(Autori është zv/Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së, qëndrimet në këtë shkrim janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimin e RTK-së dhe as të albinfo.ch)