Lajme
Raporti i ekspertëve: Dehari është vrarë dhunshëm
Ekspertët e pavarur kanë dalë me raportin e tyre lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, ku thuhet se vdekja është e dhunshme, e menjëhershme dhe ka ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka publikuar të premten raportin e ekspertëve të pavarur mjekoligjor, të cilët dëshmojnë se Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje u vra dhunshëm në burgun e Prizrenit me 5 tetor të këtij viti. Ky raport bije ndesh me atë të Prokurorisë, që thotë se Dehari bëri vetëvrasje.
Avokati Gashi bëri të ditur se ekspertët e pavarur kanë dalë me raportin e tyre lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, ku thuhet se vdekja është e dhunshme, e menjëhershme dhe ka ardhur si pasojë e asfiksisë së dhunshme (traumatike).
Në raportin e ekspertëve të pavarur thuhet se dëmtimet e rrënjës së gjuhës dhe disa dëmtime në qiellzë dhe gjuhë janë pasojë e dislokimit të shkaktuar nga veprimi mekanik i pengesës mekanike (mjet i fortë solid) me forcë – shtytëse me intensitet të lartë, citon TG.
“Dëmtimet në trajtë gërvishtje në qafë dhe në pjesën e kyçit të dorës së majtë janë shkaktuar me mjet të mprehtë me intensitet të ulët, për së gjalli, dëmtimi në trajtë simulimi ndërsa dërrmishjet në pjesën e sipërme të ballit (të përparme të sipërme të kokës) dhe dëmtimet e tjera të sipërpërmendura janë bërë me goditje topike, me mjete të forta mbrehëse, me mekanizmin e shtrëngimit, goditjes dhe përplasjes”, thuhet në raport.
Po ashtu, lëndimet në kokë në parakrahun e majtë dhe në faqen e jashtme, të poshtme, të parakrahut të dorës së djathtë, anën e djathtë të qafës, këndin e nofullës së poshtme, janë shkaktuar me mjet të fortë dhe këto klasifikohen si lëndimet trupore me natyrë më shumë si shenja të vetëmbrojtjes.
Avokati Gashi tha se të gjeturat tregojnë dhe është përfundim logjik se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje.
Sipas avokatit Gashi, edhe Instituti i mjekësisë ligjore asnjëherë nuk ka thënë se është vetëvrasje.
“Në bazë të pamjes dhe lokalizimit topografik të lëndimeve në rrënjën e gjuhës dhe kavitetit të gojës, me lehtësi mund të rikonstruktohet mënyra e shkaktimit të lëndimeve. Mbyllja e laringut (me fundin e gojës) një ngufatje e tillë bëhet gjatë dhunimit, zakonisht me qëllim të pengimit të britmës për ndihmë të viktimës së sulmuar tek të rriturit. Asfiksi mekanike e shkaktuar nga mbyllja e vrimës së gojës, pa mbyllur vrimat e hundës nuk parandodhin zakonisht”, thuhet në raport.
Ndryshe, dy javë pas vdekjes tragjike të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, Prokuroria e Shtetit publikoi autopsia e mjekoligjorëve, e cila sipas tyre, tregon se i ndjeri, A.D ka bërë vetëvrasje me një mjet të fort që i ka shkaktuar asfiksi (ndalje të frymëmarrjes). Sipas autopsisë që e publikoi Prokuroria, asnjë njeri nuk është i dyshuar për vdekjen e Deharit, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pas një hetimi gjithëpërfshirës dhe të plotë dhe pas pranimit të raportit të autopsisë ne si prokurori fillimisht kemi ftuar përfaqësuesin ligjor të të ndjerit Dehari dhe prindërit e tij, për ti njoftuar me rezultatet e hetimit. Nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shkoqëruara me gjakderdhje të jashtme”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.
Rezultatet e analizave toksikologjike për barna e droga, të kryera gjatë autopsisë dhe pas saj, rezultojnë të jenë negative, thuhet në raportin e prokurorisë.
Por, edhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimi të Ligjit në Kosovë (EULEX) e konsideron të saktë dhe profesionale autopsinë që kanë bërë mjekoligjorët kosovarë në rastin e Astrit Deharit. Sipas EULEX-it, autopsia e publikuar nga Prokuroria, është profesionale, por ka hapësirë për përmirësim të sistemit korrektues kosovare.
“EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga EULEX.
Ndryshe, mjekoligjoret e pavarur të angazhuar nga familja Dehari janë: Besim Ymaj dhe Besim Latifaj. Njëri është nga Shqipëria dhe tjetri mjekoligjor që punon n Londër.
E-Diaspora
-
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze Në kuadër të World Economic Forum (WEF) 2026 në Davos, një nga ngjarjet më prestigjioze globale... -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare -
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











