Kosova

Raporti i DASH: Liria e shprehjes së medias e kufizuara në Ballkanin Perëndimor

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e tij të fundit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, ka vlerësuar se në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të kufizuara liria e shprehjes dhe ajo e medias, ndërsa ka evidentuar probleme të theksuara me mosndëshkimin e krimeve të luftës, raporton albinfo.ch.

Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët e përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, është përmendur se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka qenë disa herë shënjestër e fushatave të shpifjeve dhe ka raportuar dhjetëra raste kërcënimesh, sulmesh dhe presionesh ndaj gazetarëve, që shpesh kanë çuar në vetëcensurë.

Për Shqipërinë, raporti nënvizon ndikimin e drejtpërdrejtë të qeverisë, partive politike dhe grupeve kriminale mbi mediat, duke theksuar presionin, korrupsionin dhe autocensurën si probleme kryesore.

Në Bosnje e Hercegovinë, kritikat më të ashpra janë drejtuar ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për sulme verbale dhe juridike që, sipas raportit, kanë minuar rendin kushtetues dhe kanë rritur tensionet ndëretnike, raporton albinfo.ch.

Në Serbi, vërehen kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe medias, dhunë ndaj gazetarëve, autocensurë dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave.

Për Malin e Zi, raporti përmend raste të torturës dhe presione të vazhdueshme ndaj mediave kritike, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, theksohet rreziku nga paditë strategjike (SLAPP), presionet politike dhe sulmet ndaj gazetarëve që hetojnë korrupsionin dhe gjuhën e urrejtjes.

DASH ka zbutur dukshëm kritikat ndaj disa vendeve partnere të ngushta të administratës Trump, ndërkohë që ka shtuar referenca për kufizimet e fjalës politike edhe në aleatë të SHBA-së në Evropë, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, raporton albinfo.ch.