Muzikë

Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare vlerëson rolin e diasporës dhe kujton koncertin në Gjenevë si një nga momentet më të bukura për përfaqësimin e Kosovës dhe vlerave kombëtare.

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka vlerësuar lart rolin e diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si pasqyrën më të mirë të identitetit kombëtar dhe dëshmi të fuqishme të integrimit në shoqëritë perëndimore, transmeton albinfo.ch.

Përmes një deklarate publike, Lahaj është shprehur se ndihet krenar për peshën dhe ndikimin që mërgata ka në vendet ku jeton, duke theksuar se integrimi i tyre është një shembull i fuqishëm i ruajtjes së vlerave dhe përfaqësimit të denjë.

“Mërgata jonë asht pasqyra ma e mirë e identitetit tonë. M’bahet zemra mal për integrimin e tyne dhe peshën që kanë në shoqnitë ku jetojnë”, ka deklaruar Lahaj.

Ai ka kujtuar me emocione koncertin e mbajtur në Gjenevë, duke e cilësuar si një nga kujtimet më të bukura dhe më inspiruese në rrugëtimin e tij artistik, në kuadër të angazhimeve për promovimin e Kosovës dhe kulturës shqiptare.

Sipas tij, koncerti i organizuar nga Konsulata e Kosovës në Gjenevë ishte një dëshmi e qartë e identitetit dhe e vendit që shqiptarët meritojnë në skenën ndërkombëtare.

“Koncerti i Gjenevës mbetet një prej kujtimeve ma të bukura dhe inspiruese në vazhdën e aktiviteteve për përfaqësimin e vendit dhe vlerave tona. Ky koncert i organizum prej Konsulatës së Kosovës në Gjenevë asht nji dëshmi e qartë se kush jemi dhe ku e kemi vendin”, ka shtuar ai.

Lahaj ka bërë të ditur se në këtë koncert kishte pasur nderin të ketë si mysafire speciale sopranon Marigona Qerkezi, të cilën e cilësoi si një artiste që e bën kombin krenar, si dhe pianistin Kamal Khan, të cilin e përshkroi si mik dhe bashkëpunëtor të afërt në shumë aktivitete.

“Kësaj here pata nderin me pasë Marigona Qerkezi soprano si musafire speciale, nji artiste që na ban krenar, si dhe pianistin Kamal Khan, mikun që ka qenë me mu në shumë aktivitete”, përfundoi Lahaj.

Deklarata e tij është pritur me reagime pozitive në rrjetet sociale, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen tek rëndësia e diasporës në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në botë./Albinfo.ch

 

Revista 01-2026

Kandidatët shqiptarë të zgjedhjeve zvicerane, në qendër të numrit të ri të albinfo.ch