Lajme

Rama takim “kokë me kokë” me liderët politik shqiptarë të Maqedonisë

Edia Rama ftoi në takim Ali Ahmetin, Menduh Thaçin, Ziadin Selën dhe  Bilall Kasamin. Ai kërkon që shqiptarët atje të flasin me një zë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po bën përpjekje t’i bashkoj liderët e partive politike në Maqedoni, në mënyrë që pas zgjedhjeve t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të flasin me një zë në kalkulimet politike për formimin e qeverisë së re maqedonase. Siç raportojnë cedilat rajonale, Edia Rama ftoi në takim Ali Ahmetin, Menduh Thaçin, Ziadin Selën dhe  Bilall Kasamin.

Kryeministri shqiptar ka ftuar në një takim “sekret” liderët politikë shqiptar që kanë fituar mandate në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.

Rama është interesuar për planet dhe strategjinë e ardhshme të liderëve shqiptar se si do t’i artikulojnë kërkesat e shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Të  gjitha partitë kanë pranuar ftesën dhe kanë mbërritur në Tiranë. Burime për Top Channel thonë se Tirana po kërkon të bashkojë të gjithë faktorin shqiptar.

“Meqë Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, i përgëzoj të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë. Uroj që të gjejnë forcën që të çojnë përpara një agjendë të përbashkët, për të arritur cilësisht bashkëjetesën demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas. Për ta rivendosur në krye të agjendave të tyre të përveçme partiake Marrëveshjen e Ohrit si emërues të përbashkët dhe për të kërkuar me një zë që programi i qeverisë së re, cilado qoftë ajo, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Rama.

Por, përveç mesazheve publike, TCh ka mësuar se kryeministri po realizon edhe takime kokë më kokë me të gjithë krerët e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni. Këtë e konfirmojnë burime nga Shkupi, por edhe nga qeveria. Të gjitha partitë kanë pranuar ftesën dhe përfaqësuesit e tyre kanë mbërritur në Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare kërkon të ketë një lexim sa më të qartë të situatës pas votimeve dhe synon që të nxisë ndërveprimin mes tyre për një qasje të përbashkët ndaj interesit madhor të barazisë mes dy popujve, si një parim bazë i Marrëveshjes së Ohrit. Këtë, ai e tha edhe publikisht.

“Partitë shqiptare në Maqedoni kanë identitetin e tyre dhe programet e tyre. Ato nuk janë të detyruara që të bien dakord me njëra-tjetrën për gjithçka, por janë të detyruara nga interesi i të gjithë shqiptarëve pa dallim, që të flasin me një zë të vetëm për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen: parimin e barazisë së plotë mes dy popujve në liri, të drejta, detyrime në suazën e shtetit të përbashkët të Maqedonisë”, deklaroi Rama.

Tirana duket sikur nuk kërkon që të mbajë krah, por, deri tani, ajo çka dihet është se Ali Ahmeti ka nisur kontaktet me Gruevskin. Ky i fundit, për rekordin negativ të të drejtave të njeriut, rolin e tij autoritar në rritje dhe “flirtimin” me Rusinë duket se nuk është më i favorizuari i Evropës.

Megjithëse burimet nuk e thonë, ai është gjithashtu jo më i preferuari i Tiranës.

Sipas KSHZ-së në Maqedoni, në të gjitha zonat zgjedhore VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM 49, BDI 10, BESA 5, LR-PDSH 3, dhe PDSH-ja 2. Dhe sipas kombinimeve politike, nëse nuk ka koalicion gjithëpërfshirës, shqiptarët konsiderohen çelësi i koalicionit në Maqedoni.