Lajme

Rama kërkon siguri për armët e Sirisë

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë tha se kurrë nuk do t’i thotë “PO”, armeve të Sirisë derisa nuk merr garanca se procesi do të ecë pa pasoja ekologjike dhe humane

Një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar se Shqipëria ka pranuar që armët kimike siriane të shkatërrohen në territorin e saj. Mirëpo kjo deklaratë është hedhë poshtë nga kryeministri shqiptar Edi Rama , i cili tha se nuk do të thotë “PO”, derisa nuk është i sigurt se procesi do të ecë mbarë dhe pa asnjë konsekuencë.

 

Kryeministri Rama duke iu përgjigjur protestuesve që i bënë thirrje për të mos pranuar kërkesën për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar, tha se ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë çështje.

 

Kryeministri nënvizoi se “PO”-ja e Shqipërisë për armët kimike nuk do të jepej kurrë pa patur garancitë e nevojshme për të siguruar integritetin e vendit, qoftë në aspektin jetik, mjedisor dhe në aspektin e të ardhmes.

 

Duke siguruar qytetarët se nuk ka vend për alarm dhe se për çështjen e armëve po thuhen mjaft të pavërteta, Rama nënvizoi se “nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proces, jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin”.

 

“Unë i mirëkuptoj me të vërtetë të gjithë ata që protestojnë. I mirëkuptoj vajzat dhe djemtë që shprehin protestën e tyre ndaj një çështjeje që e ka përfshirë Shqipërinë natyrshëm si pjesë e aleancës atlantike, por që mbetet me shumë të panjohura ende për publikun e gjerë”, tha ai transmeton BW.

 

 

Rama: Nuk them “Po” derisa nuk jam i sigurt

 

 

Ai tha se në opinion po thuhen shumë të pavërteta. “Diskutimi vazhdon dhe shumëçka mbetet ende pjesë e një diskutimi intensiv”, deklaroi Rama, sipas të cilit, “kurrë nuk do të pranojë që e ardhmja e qytetarëve të vihej në diskutim”.

 

Kryeministri theksoi se kontributi në NATO dhe pozicionimi i Shqipërisë krah për krah me SHBA-në është i lidhur me interesin e çdo shqiptari.

 

“Po-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe me një marrëveshje, nga ku të jetë e qartë për të gjithë që Shqipëria do të dalë jo vetëm me kokën lart, por e fituar dhe më e pastër seç është sot”, theksoi kryeministri Rama.

 

Ndryshe, një personazh shumë i njohur amerikan Paul Walker, drejtor i programit “Green Cross International” për televizionin “Al Jazeera, ka thënë Shqipëria tashmë ka pranuar që armët kimike të Sirisë të shkatërrohen në vendin e saj.

 

I pyetur nga gazetarja se pse u përzgjodh Shqipëria si destinacion për të bërë shkatërrimin e armëve kimike, Walker u shpreh: “Këtë pyetje bëra edhe unë para pak javësh se kush e kishte menduar Shqipërinë?

 

Sipas tij, vetë Shqipëria ka kaluar nëpërmjet një procesi të shkatërrimit të armëve në vitin 2007, ku ka pasur mjaft problem.

 

“Ata kishin një arsenal të vogël armësh kimike dhe Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike, zbuloi se këtij vendi (Shqipërisë) iu deshën gjashtë muaj për të shkatërruar 16 ton të një agjenti të quajtur gaz mustard që iu ishte dhënë nga Kina”, tregon Walker.

 

Sistemi amerikan i shkatërrimit të armeve

 

Mirëpo siç thuhet në një shkrim botuar në mediet e Tiranës, për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri do të përdoret sistemi amerikan i terrenit për hidrolizë (FDHS).

 

Ky sistem është i zhvilluar në qendrat kimike dhe biologjike në Exhvud në Merilend të SHBA-ve. Sistemi mobil neutralizon përbërësit e armëve kimike përmes hidrolizës në një vëllim me ujë dhe reagense tjera për 10 herë më i madh se armët kimike.

 

Përzierja më pas ngrohet, dhe mbeturina e fituar akoma është toksike, por mund të asgjësohet dhe digjet plotësisht dhe në mënyrë të sigurt. Sekretariati amerikan për mbrojtje vlerëson se procesi është efikas për 99,9 për qind gjatë asgjësimit.

 

Në procesin e asgjësimit sipas këtij sistemi marrin pjesë 15 teknikë, ndërsa në ditë mund të asgjësohen prej 5 deri në 25 ton armë kimike.

 

Shqipëria konsiderohet si vendi i parë që më 11 korrik 2007 mori vërtetimin nga Organizata për ndalimin e armëve kimike për asgjësimin e rezervave të saj të armëve kimike. Shqipëria ka pasur rezerva të tilla nga periudha komuniste, që ishin rreth 16.678 kilogram helme të ndryshme si iperit, luizit, adamsit dhe hloracetofenon.

 

Administrata amerikane investoi 45 milion dollarë për ndërtimin e një reparti për asgjësimin e armëve dhe mbetjeve kimike në Qafmollë. Reparti posedon teknologji gjermane për asgjësim, ndërsa në asgjësimin e helmeve kimike kanë marrë pjesë teknikë zviceranë.