Lajme

Qytetarët e Maqedonisë në mërgatë udhëzohen se si të votohet në qershor

Me ndryshimet e Kodit zgjedhor në Maqedoni mërgimtarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Votimi i shtetasve të Republikës së Maqedonisë me qëndrim të përkohshëm në Zvicër më shumë se tre muaj, ose të cilët janë përkohësisht duke punuar ose duke qëndruar më shumë se një vit, do të mbahet më 4 qershor 2011, prej orës 7:00-19:00, në Përfaqësinë Diplomatike të Maqedonisë në Kirchenfeldstrasse 30, CH- 3005 në Bernë, bëhet e ditur në një njoftim të lëshuar nga Ambasada e Maqedonisë.

Ambasadori i Republikës së Maqedonisë, Ramadan Nazifi, ka thënë se tashmë kanë marrë instruksionet nga Ministria e Punëve të Jashtme se si duhet t’i udhëzojnë qytetarët për votimet e 4 qershorit.

“Pas aprovimit të paradokohshëm të ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit zgjedhor, për herë të parë edhe mërgimtarëve tanë u mundësohet të votojnë jashtë atdheut”, ka thënë për albinfo.ch ambasadori Nazifi.

Sipas tij, në bazë të dispozitave ligjore dhe instruksioneve nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Bernë javën e kaluar, më 21 prill 2011, në të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger” ka shpallur një thirrje publike në lidhje me kohën, mënyrën dhe vendin e votimit të diasporës sonë në Zvicër”.

Të drejtë votimi kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët kanë paraqitur vendbanimin e fundit në Republikën e Maqedonisë, ndërsa në ditën e zgjedhjeve përkohësisht qëndrojnë në Zvicër më tepër se tre muaj ose janë në punë ose qëndrim të përkohshëm në Zvicër më tepër se një vit, në pajtim me evidencën nga organi kompetent, ndërsa të cilët nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e shikimit publik kanë dorëzuar fletëparaqitje për votim dhe janë të shënuar në certifikatat e veçanta nga Regjistri zgjedhor.

Qytetarët e Maqedonisë në Zvicër, të cilët dëshirojnë ta realizojnë të drejtën e tyre të votimit, duhet t´i kontrollojnë certifikatat e veçanta nga Lista zgjedhore në lokalet e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Bernë nga 25 prilli deri më 4 maj 2011.

Gjatë kontrollimit të Listës shtetasit e Republikës së Maqedonisë identifikohen para personit kompetent të Ambasadës, me dokument udhëtimi ose me letërnjoftim të lëshuar nga organi kompetent i Republikës së Maqedonisë.

“Kontrollimi mund të realizohet edhe nëpërmjet internetit në Ueb-faqen vijuese: http://www.sec.mk. Nëse dikush nuk është në Listën zgjedhore, duhet të aplikojë për t´u regjistruar në të (bashkëngjitur). Aplikimi për të votuar (bashkëngjitur), me nënshkrim personal, dërgohet në Ambasadën e RM-së në Bernë, Kirchenfeldstrasse 30 ose nga 15 prilli deri më 4 maj 2011 dërgohet me e-mail në adresë: [email protected]”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Bernë.

Në bazë të të dhënave të fundit të Entit Federal për Migracion, në Konfederatën Zvicerane jetojnë rreth 61.000 shtetas të Republikës së Maqedonisë.

Ndryshe, tre deputetë mund të zgjidhen nga votat e shtetasve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit dhe do të përfaqësojnë interesat e tyre në institucionet e vendit.

Një deputet do të jetë nga Evropa, një nga kontinenti i Amerikës dhe një nga Australia.

Njëri prej tyre deputetëve është paraparë të jetë shqiptar, duke marrë parasysh numrin e shqiptarëve të migruar në Evropë, edhe pse partitë shqiptare dhe komunitetet që jetojnë jashtë vendit shpresojnë edhe në dy deputetë, duke përfshirë atë në kontinentin e Amerikës dhe në Evropë.

Tashmë partitë politike shqiptare kanë promovuar kandidatët e tyre në diasporë.