Lajme

Qeveria zvicerane paralajmëron shoferët dhe këmbësorët për rrugët e rrëshqitshme sot

Rrugë të akullta në Zvicër pas reshjeve të borës, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Pas reshjeve të dëborës dhe temperaturave nën zero gjatë natës, pjesë të mëdha të Zvicrës janë përballur të enjten në mëngjes me rrugë të akullta, duke rritur rrezikun për aksidente dhe rrëshqitje, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi meteorologjik i qeverisë zvicerane, MeteoSchweiz, ka lëshuar paralajmërime për drejtuesit e automjeteve, duke i këshilluar ata që të përshtatin shpejtësinë dhe stilin e drejtimit sipas kushteve të vështira të rrugës. Autoritetet theksojnë se akulli i padukshëm në disa segmente rrugore paraqet rrezik të lartë, veçanërisht në orët e para të mëngjesit.

Paralajmërimi nuk vlen vetëm për shoferët. Edhe këmbësorët janë këshilluar të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut në rritje të rrëshqitjes dhe rrëzimit në trotuare dhe zona publike të mbuluara nga akulli.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare të MeteoSchweiz dhe të marrin masa parandaluese deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.