Qeveria e Zvicrës ka nisur fushatën e saj për të bindur qytetarët të votojnë “pro” në referendumin e 28 shtatorit për Aktin e ID-së elektronike. Sipas autoriteteve, e-ID-ja është e sigurt, e lehtë për t’u përdorur, ofrohet falas dhe përdorimi i saj mbetet vullnetar, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.
Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (FDJP) theksoi të martën se nevoja për një provë të sigurt elektronike të identitetit po rritet, veçanërisht për veprime si porositjet online. ID-ja elektronike, e ofruar nga shteti, synon të forcojë sovranitetin digjital dhe të promovojë Zvicrën si një qendër inovacioni.
E-ID-ja funksionon si një kartë identiteti digjitale, ndërsa infrastruktura teknike ofrohet nga shteti. Sipas FDJP-së, kjo garanton mbrojtjen e privatësisë dhe kontrollin individual mbi të dhënat personale.
Megjithatë, kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë për rreziqe. Javën e kaluar, ata nisën fushatën e tyre duke e quajtur projektin një dhuratë për kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe një hap drejt një ekonomie mbikëqyrëse. Ata theksojnë se një e-ID nuk është e domosdoshme për procedurat administrative, duke përmendur si shembull platformën AGOV, e cila funksionon pa identitet digjital.
Sipas tyre, ligji do të krijojë bazën për përdorim komercial të identitetit elektronik, duke u mundësuar grupeve të mëdha teknologjike të ofrojnë shërbime vetëm në këmbim të një e-ID-je, transmeton albinfo.ch.